Hysen Durmishi: Qeverisja Haradinaj e ka dëmtuar më së shumti Ministrinë e Infrastrukturës

27 korrik 2023 | 21:57

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se qeverisja e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë ajo që e ka dëmtuar më së shumti Ministrinë e Infrastrukturës.

Durmishi, thotë se qeverisja e Haradinaj ka bërë projekte politike, pa studime dhe pa analiza të mirëfillta.

“Qeverisja Haradinaj ka qenë qeverisja që e ka dëmtuar më së shumti Ministrinë e Infrastrukturës, koha sidomos kur ka qenë ministër Pal Lekaj. Ata kanë bërë projekte politike, pa studime fizibiliteti, pa analiza të mirëfillta edhe rruga Dollc – Gjakovë është bërë pa asnjë studim fizibiliteti dhe pa asnjë analizë paraprake, pa projekt është filluar ndërtimi i rrugës, ku janë nënshkruar kontratat”, tha ai në Tëvë1.

Ai thotë se qeverisja e tanishme po ka probleme serioze për realizmin e projekte që janë nisur në të kaluarën.

“Tash ne po kemi probleme serioze për me realizu ato. Edhe autostrada e Dukagjinit është e njëjtë. Ne e kemi filluar procedurën për hartimin jemi në fazën finale të përzgjedhjes së kompanisë, për hartimin e projektit kryesor, për zgjerimin e rrugës prej Istogut në Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren, kjo e zëvendëson të ashtuquajturën autostrada e Dukagjinit”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës.

Durmishi e konsideron të çuditshme, ku në të kaluarën Ministria e Infrastrukturës nën udhëheqjen e Pal Lekaj ka shpallur tender për ndërtimin e autostradës Kiev – Zahaq.

“Ata kanë shpallur tender ose kanë filluar procedurë për me ndertu autostradën Kiev – Zahaq, ky është një rast shumë i çuditshëm dhe i pashpjegueshëm, sepse autostradat bëhen kur lidhen me autostradat tjera, kur lidhen me korridore ndërkombëtare. Ne jemi duke e bërë zgjerimin e rrugës ekzistuese me katër korsi deri në Pejë”, shtoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se dy muaj pas nominimit nga presidenti Joe…