![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/07/AT-600x360-1.webp)
Atletja ukrainase diskualifikohet pasi refuzoi t’ia zgjaste dorën kundërshtares ruse
Lojtarja ukrainase e skermës, Olga Kharlan, është diskualifikuar pasi nuk pranoi t’ia zgjaste dorën kundërshtares së vet ruse, Anna Smirnova, në Kampionatin Botëror të Skermës, në Milano, të enjten.
Kharlan, katër herë fituese e medaljes olimpike dhe kampione botërore, e fitoi ndeshjen individuale 15:7 dhe pastaj nuk i shtrëngoi duart me kundërshtaren e vet, por deshi ta përshëndesë atë me cakërrim të shpatave.
![Ukrainasaj Olha Kharlan duke e festuar fitoren kundër ruses Anna Smirnova (e cila nuk shihet në fotografi), gjatë Botërorit të Skermës, në Milano, më 27 korrik 2023.](https://gdb.rferl.org/91ba5cfa-5e6c-4503-b768-099c3676baa1_w650_r0_s.jpg)
Smirnova mbeti në skenë për rreth gjysmë ore pas incidentit, duke biseduar me një numër zyrtarësh para se të largohej.
Atletët ukrainas në sportet e tjera – përfshirë tenistet Elina Svitolina dhe Marta Kostyuk – kanë refuzuar po ashtu t’i shtrëngojnë duart me kundërshtarët rusë dhe bjellorusë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Bjellorusia është përkrahëse e pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Në rregullat e sportit të skermës, përshëndetja mes kundërshtarëve dorë për dorë është detyrim dhe refuzimi për ta bërë një gjë të tillë ka për pasojë “kartonin e zi”.
“Kartoni i zi” nënkupton përjashtim nga garat.
“Ne e mbështesim Olga Kharlan plotësisht në këtë situatë. Jemi duke e përgatitur një protestë”, tha Mzkhailo Illiashev, presidenti i Federatës së Skermës së Ukrainës.
“Ne do të ankohemi ndaj këtij vendimi, sepse gjyqtari i asaj përballje nuk dha karton të zi direkt, e as nuk e diskualifikoi atë. Ky diskualifikim erdhi më vonë nga lojëra të fshehta pasi ishte caktuar kundërshtarja e radhës, dhe pasi ishte caktuar gjyqtari për ndeshjen e radhës”, shtoi ai.
Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Huttsait, e ka përshkruar këtë incident si “një provokim i qartë nga pala ruse”.
Kharlan po e përfaqësonte Ukrainën në këtë turne, pasi ministri i Sportit i Ukrainës vendosi të mërkurën t’i lejojë ekipet ukrainase të marrin pjesë në gara olimpike, jo-olimpike dhe paraolimpike në të cilat ka edhe garues nga Rusia dhe Bjellorusia.
Smirnova po garonte si atlete neutrale.
Federata Botërore e Skermës nuk i është përgjigjur Reuters-it për koment në lidhje me këtë incident./REL