Hyn në fuqi marrëveshja kufitare në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

31 korrik 2023 | 14:31

Një marrëveshje në mes të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për kontrollimin e përbashkët të pikave kufitare në mes të dy vendeve, ka hyrë në fuqi të hënën më 31 korrik.

Në pikën kufitare në juglindje të Shqipërisë, Qafë Thanë, do të ketë vetëm një pikë ndalese, e cila do ta lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, kanë inspektuar pikën kufitare të Qafë Thanës, ku është prezantuar nisma “One stop shop” (një ndalesë, një kontroll), mes dy vendeve.

Të dy kryeministrat kanë vlerësuar se lehtësitë në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave vijnë “si rezultat i ‘Ballkanit të hapur’”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se dy vendet “janë shembull se si duhet të sillen dy shtete fqinje”, ndërsa theksoi se mes gjithë vendeve të Ballkanit nuk duhet të ketë kufij.

“Lehtësojmë punën e 11 kompanive maqedonase eksportuese, mundësojmë qasje më të mirë në portet e Shqipërisë, por edhe në destinacionet turistike në dy vendet. Falë ‘Ballkanit të hapur’ është rritur për 40  për qind shkëmbimi tregtar me Shqipërinë dhe 50 për qind në raport me Serbinë”, ka thënë Kovaçevski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kjo nismë duhet të vijojë më tej drejt lëvizjes së lirë, dhe kontrollit të rastësishëm të automjeteve.

“Shpresoj që Ministritë e Brendshme (të dy vendeve) do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit dhe në sezonet e tjera verore, për të bërë kalimin pa kontroll, apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave, në mënyrë që të lehtësohet edhe më shumë qarkullimi”, ka thënë Rama.

Si Kovaçevski, ashtu edhe Rama ka theksuar rëndësinë që ka luajtur “Ballkani i hapur” në këtë.

“Unifikimi i doganave është qëllimi final, por nuk kemi pse presin Bashkimin Evropian për të avancuar në këtë drejtim. Ka pasur shumë skeptikë kur e nisëm këtë proces fillimisht si Minishengen, pastaj ‘Ballkani i hapur’, por faktet flasin vetë”, ka thënë Rama, raporton “Rel”.

Vendimi për zbatimin e kontrollit të përbashkët kufitar në Qafë-Thanë është miratuar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, mbajtur më 14 nëntor 2022.

Më këtë mbledhje, që ishte e dyta mes qeverive të dy vendeve janë  nënshkruar 21 marrëveshjeve dhe memorandume, që ndërlidhen me bashkëpunimin në mes  të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e sigurisë, turizmit, tregtisë, si edhe në fushën e energjisë elektrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mauro Icardi u prezantua te Galatasaray si lojtari më i…