Miftaraj: Asnjë Kushtetutë nuk i përcakton procedurat se si regjistrohet një biznes

01 gusht 2023 | 00:04

Drejtori Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi Ehat Miftaraj ka thënë se mediat, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të protestojnë kur cenohet fjala e lirë.

Sipas tij, në vitin 2023 Kosova po ballafaqohet me mbylljen e një medias.

Miftaraj ka thënë se në rastin e televizionit Klan Kosova nuk po zbatohen procedurat dhe ligjet.

“Nuk është ARBK-ja dhe MINT-i që t’i pezullojë mediat e lira dhe të pavarura. Është Komisioni i Pavarur për Media që ka këtë kompetencë. Ai bën licencimin dhe merr licencat nëse mediat nuk operojnë në bazë të kushteve dhe procedurave të përcaktuara me ligj”, ka thënë ai.

Miftaraj ka thënë se asnjë Kushtetutë nuk i përcakton procedurat se si regjistrohet një biznes.

Sipas tij, nëse Klan Kosova i ka shkelë procedurat e licencimit, përgjegjësinë duhet kërkuar brenda ARBK-së.

Ka shtuar se administrata shtetërore është përgjegjëse se si regjistrohet një biznes.

“Deputetët e partisë në pushtet, mbrëmë dhe sot kanë postuar në Facebook pse nuk duhet të përkrahet protesta me dëshmi që i kanë marrë në ARBK. Atëherë duhet të shikohet se si janë marrë këto dokumente sepse në bazë të ligjit nuk mund të kenë qasje. Unë e kisha kuptuar partinë në pushtet nëse e kishte pasur një qasje të tillë agresive në muajin e parë që ka ardhur në pushtet. Nëse kemi dyshime që ka shpëlarje të parasë kemi Njësinë e inteligjencës financiare e cila është që një vit e gjysmë pa drejtor, sepse partia në pushtet nuk po arrin të shpallë konkurs”, ka thënë ai.

Sipas tij, ATK-ja është kompetente të hetojë nëse ka shmangie tatimore.

Miftaraj ka thënë nëse Gjykata nuk vendos masë të sigurisë, nënkupton që Klan Kosova duhet të mbyllet.

Sipas tij, çdo institucion në vend e ka për detyrë që të hetojë keqpërdorimet.

“Publikimi i listës prej më shumë se 40 bizneseve të cilat kanë vepruar njëjtë, Qeveria e ka bërë për ta larë vetën. Është fatkeqësi që Kurti në vitin 2023, të vetmen trashëgimi që do ta lë, është se ka qenë subjekt i të gjitha mediave ndërkombëtare se si po do të mbyllë një media”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se personalisht ka menduar që ky vendim është i ministres së MINT-it, Rozeta Hajdari, derisa kryeministri Albin Kurti ka dalë me postim në Twitter.

Sipas tij, tashmë nuk ka dyshim që prapa këtij vendimi është vet Kurti.

Miftaraj ka thënë se Kurti ka dështuar në të gjitha gjërat që i ka premtuar.

“Sot jemi në një situatë kur unë raportoj për ndonjë lajm që ka të bëjë me Qeverinë, me ndonjë aferë korruptive, etiketimi është që unë jam me Serbinë, mos të flas për kërcënime e kanosje. Janë dy-tri raste që janë në gjykatë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-anëtari dhe financuesi i VV-së, Florin Krasniqi, ka shokuar me…