Gjykata refuzon “dosjet” e ministrit serb për vrasjen e Ivanoviqit

01 gusht 2023 | 08:03

Në rastin ku po akuzohen gjashtë persona për krim të organizuar lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq është propozuar të kërkohen prova edhe në Serbi.

Avokati i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Faruk Korenica, propozoi që gjykata t’i kërkojë në Serbi dy dosje të mëdha që i prezantoi javë më parë në Kuvendin e Serbisë, ministri i Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiq. Trupi gjykues e refuzoi këtë kërkesë.

“Në një moment ministri i Republikës së Serbisë, i ka pasur dy dosje në dorë –duke thënë: ne e dimë kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin dhe krejt i keni në këto dy shkrime (dosje) dhe ata që kanë komunikuar lidhur me vrasjen”, ka thënë Korenica.

Gashiq në një seancë, tha se autoritetet e Serbisë e dinë se kush e ka vrarë Ivanoviqin dhe se vrasësi aktualisht ndodhet nën mbrojtjen e autoriteteve të Gjermanisë. Pas reagimit të ambasadës gjermane në Beograd, ku mohoi gjithçka, Gashiq u arsyetua se deklarata e tij është keqinterpretuar nga mediat dhe se nuk ka thënë se i dyshuari është nën mbrojtjen e Gjermanisë, por se “Serbia ka kërkuar nga Gjermania informacione se nën mbrojtjen e kujt ndodhet aktualisht i vrasësi”.

Në ballkonin e sallës së Kuvendit, ku foli Gashiq, në disa raste mysafir ishte nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës është kreu i grupit kriminal që lidhet me vrasjen e Ivanoviqit.

E trupi gjykues dha një mori arsyesh pse nuk mund të pranohen deklaratat e ministrave të shteteve tjera, derisa vuri theksin te mosbashkëpunimi i Serbisë me Kosovën në fushën e drejtësisë.

“Ndërsa sa u përket atyre deklarimeve në Kuvend të Serbisë, ato janë pjesë e seancave parlamentare të kuvendit atje, proces jashtë dyerve të gjykatës…”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.

Trupi gjykues vendosi të administrohen si prova deklaratat e dëshmitarëve anonimë B1 e B3, por jo edhe atë të dëshmitarit A1, i cili po ndiqet penalisht nga Prokuroria Speciale për deklaratë të rrejshme.

Në rastin për vrasjen e Ivanoviqit, po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë. Ata akuzohen se ndihmuan në forma të ndryshme në vrasjen e politikanit nga Mitrovica dhe se e dëmtuan procesin hetimor për zbardhjen e rastit. Të akuzuar të tjerë që ndodhen në arrati janë Millan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq e Zheljko Bojiq.

Ivanoviq u vra më 16 janar 2018.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi Ehat Miftaraj…