![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/10/Borges-780x439-1.jpg)
Nuk i rezistoj tundimit për të blerë libra të rinj
Nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Alket Çani
… Për aq sa më kujtohet, grekët nuk i përdornin shumë librat. Është fakt që shumica e mendimtarëve të njerëzimit nuk i janë drejtuar shkrimit, por fjalës. Mendoni për Pitagorën, për Krishtin, për Sokratin, për Budën etj. Dhe, meqenëse përmenda Sokratin, do doja të thosha dy fjalë për Platonin. Më kujtohet që Bernard Shaw thoshte se Platoni ishte dramaturgu që kishte krijuar Sokratin, ashtu sikundër katër ungjillorët ishin dramaturgët që kishin krijuar Krishtin. Ndoshta këto shkojnë shumë larg, por ka këtu, ama, një pjesë të vërtetë. Në një nga dialogët e tij, Platoni nuk i lëvdon shumë librat: “Ç’është libri? Libri është si një tablo, ka pamje të gjallë, por nëse i bëjmë një pyetje, ai nuk na përgjigjet dhe atëherë shohim se paska qenë i vdekur.” Dhe, për të shndërruar librin në realitet të gjallë, ai shpiku, fatmirësisht për ne, dialogun platonik që u del përpara dyshimeve dhe pyetjeve të lexuesit.
Por, do mund të thoshim gjithashtu që Platoni kishte nostalgjinë e Sokratit. Pas vdekjes së Sokratit, ai me siguri thoshte shpesh me vete: “Ç’do kish thënë Sokrati rreth kësaj pike për të cilën kam dyshime?” Atëherë, për të dëgjuar sërish zërin e mjeshtrit të dashur, ai shkroi dialogët. Në disa dialogë, Sokrati përfaqëson të vërtetën, të vërtetën e pakundërshtueshme. Në të tjerë, Platoni ka vënë në skenë gjendjet e tij të ndryshueshme e të shumëfishta shpirtërore. Disa nga dialogët nuk dalin në asnjë përfundim sepse Platoni, duke i shkruar, vazhdonte të reflektonte: nuk e dinte cila do ishte faqja e fundit në çastin kur shkroi të parën. Ai e linte mendjen të bredhërinte dhe këto bredhëritje mishëroheshin në personazhet e ndryshëm të dialogut të tij. Ma merr mendja se objektivi i tij kryesor ishte t’i ofronte vetes iluzionin se, përtej faktit që Sokrati kishte pirë helmin, ky i fundit ishte përherë pranë Platonit. E kam këtë bindje, ngaqë kam pasur shumë mjeshtra në jetë. Jam krenar që jam dishepull dhe, shpresoj, një dishepull i mirë. Mirëpo, kur mendoj për tim atë, kur mendoj për shkrimtarin e madh judeo-spanjoll Rafael Cansinos Asséns, kur mendoj për Macedonio Fernándezin, do doja të dëgjoja edhe zërin e tyre. Nganjëherë ushtrohem duke imituar zërat e tyre: shpresoj gjithashtu të mund të mendoj siç mendonin ata. Janë gjithmonë pranë meje.
Te njëri nga etërit e Kishës ka një fjali që thotë se është po aq e rrezikshme të vësh një libër në duart e një injoranti, sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije. Kjo sepse, për antikët, librat nuk ishin tjetër veçse një mjet. Në një nga letrat e tij, Seneka ngrihet kundër bibliotekave të mëdha. Shumë kohë më vonë, Schopenhauer ka shkruar se shumë njerëz bënin gabimin të besonin se duke blerë një libër, blenin gjithashtu edhe përmbajtjen e librit. Më ndodh ndonjëherë t’i hedh sytë mbi librat e shumtë që kam në shtëpi dhe të them me vete se do vdes para se t’i kem lexuar të gjithë. E prapëseprapë nuk i rezistoj dot tundimit për të blerë gjithmonë libra të rinj. Sa herë që hyj në një librari e që bie mbi ndonjë vepër që ka lidhje me ndonjë nga temat e mia të preferuara – për shembull poezi në anglishten e vjetër apo norvegjishten e vjetër – them me vete: “Sa keq që s’mund ta blej këtë libër, ngaqë e kam tashmë një ksombël në shtëpi.”