![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/08/masht.jpg)
Jep dorëheqje zëvendësministrja e Arsimit
Zëvendësministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit (MASHTI), Edona Maloku-Bërdyna, ka bërë me dije se është dorëhequr nga kjo pozitë, për t’iu kthyer punës akademike në arsim e shkencë.
“Ju njoftoj se dje, më 31 korrik 2023, kam përmbyllur rrugëtimin tim si zëvendësministre për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion në Qeverinë e Kosovës. Për shkaqe subjektive, e kam të pamundur të vazhdoj më tej angazhimin tim në këtë detyrë dhe rrjedhimisht, i kam dorëzuar dorëheqjen time kryeministrit Kurti”, ka shkruar Maloku-Bërdyna në “Facebook”.
Ajo ka thënë se takimin përshëndetës me kryeministrin e zhvilluan në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre.
“Kryeministrin Kurti e falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim. Në Qeverinë e Kosovës kam punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional. Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithëpërfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare”, ka shkruar ajo, duke bërë me dije se po i kthehet punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin e saj në arsim e në shkencë.