Liga e Konferencës, sonte paraqiten Drita, Ballkani dhe Dukagjini

03 gusht 2023 | 11:58

Tri klubet kosovare do ët paraqiten sonte në Ligën e Konferencës. Përderisa Ballkani thuajse e ka siguruar kualifikimin falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë, Drita synon ta shfrytëzojë rezultatin e ndeshjes së parë 0-0 dhe me ndihmën e tifozëve të kualifikohet në raundin tjetër. Dukagjini e ka më vështirë, pasi luanë në Kroaci ndaj Rijekës dhe ndeshjen e parë e humbi 0-1.

Nënkampionia e Kosovës në futboll, Drita nxori një rezultat të mirë në Çeki nga përballja me Viktoria Plzen (0-0), në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Tash skuadra e Dritës e kërkon kualifikimin në ndeshjen e dytë që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:00.

Trajneri i skuadrës gjilanase Akil Vavalis e vlerëson rezultatin e ndeshjes së parë, por thotë se çekët janë favorit në këtë ndeshje. Ai beson se me përkrahjen e tifozëve dhe terrenin vendas mund të mposhtet kundërshtari. “Të enjten do ballafaqohemi me Viktoria Plzen, që prapë do jetë lojë e vështirë. Pres që ndeshja e dytë të jetë edhe më e vështirë se ndeshja e parë në Çeki. Ne në ndeshjen e parë kishim rezultat të mirë, por kjo nuk thotë asgjë pasi kemi edhe 90 minuta shumë të vështirë. Pres të njëjtin angazhim edhe në ndeshjen e dytë.

Ekipi i Viktoria Plzen është favorit, ne do kemi një përparësi sa i përket fushës dhe mbështetjen e madhe të tifozëve që do jenë në numër të madh”, ka thënë Vavalis në konferencë për medie një ditë para ndeshjes. Edhe dy klubet tjera të Kosovës do të paraqiten sonte në Ligën e Konferencës. Skuadra kampione e Superligës, Ballkani ka shkëlqyer në ndeshjen e parë ndaj Larnes në “Fadil Vokrri” duke fituar me rezultat të pastër 3-0, kurse kualifikimi në fazën tjetër është shumë i mundshëm.

Në anën tjetër, Dukagjini i Klinës e ka humbur përballjen e parë me skuadrën e Rijekës si vendas me rezultat 0-1, kurse në Kroaci do ta ketë edhe më të vështirë, por në futboll asgjë nuk është e pamundur dhe djelmoshat e trajnerit Armend Dallku do të provojnë shanset e tyre.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa të gjithë mendonin se ata janë në prag divorci,…