Paraqitje të kënaqshme nga Mehmeti dhe Karabaxhaku në Lojërat Frankofone

03 gusht 2023 | 15:40

Alma Mehmeti dhe Fatih Karabaxhaku nën drejtimin e trajnerit Dardan Imami e përfaqësuan Kosovën në Lojërat Frankofone, të cilat u mbajtën në Republikën Demokratike të Kongos. Ata garuan nga data 29 korrik deri me 2 Gusht, dhe gjatë këtyre ditëve ata garuan në tri kategori të ndryshme dhe shënuan disa fitore të rëndësishme.

Në kategorinë ekipore Alma dhe Fatihu shënuan një fitore në grup kundër Guineas me rezultat 2-0, ndërsa pësuan humbje nga ekipi nga Tunisia me rezultat 1-2.

Në kategorinë çifte të përziera lojtarët tanë shënuan dy fitore, 3-0 kundër Gabonit, dhe me rezultat zyrtar 3–0 kundër Haitit. Ata gjithashtu ishin shumë afër fitores në ndeshjen kundër Mauritius, nga të cilët pësuan humbje me rezultat të ngushtë 2:3. Alma dhe Fatihu garuan edhe në kategorinë individuale. Të dy e siguruan fazën eliminatore pasi shënuan fitore në grupe. Fatih Karabaxhaku i shënoi 3 fitore në grupe. Ai fitoi me rezultat 3-0 kundër lojtarit nga Mauritius, 3-0 me rezultat zyrtar kundër lojtarit nga Haiti dhe 3-1 kundër lojtarit nga Benini, për të vazhduar në të 16-tën e finales. Ai në këtë fazë u ndesh me lojtarin nga Gaboni dhe fitoi me rezultat 3-0.

Fatihu në çerekfinale u ndesh me lojtarin nga shteti nikoqir i cili e kishte përkrahjen e publikut vendas që ndikoi edhe në performancën e lojtarit kosovar. Ndeshja u mbyll me rezultat 3-1 për kongolezin. Në përgjithësi Karabaxhaku i shënoi 7 fitore nga gjithsej 11 paraqitje në 3 kategori. Në anën tjetër, edhe Alma u rendit e para në grup. Ajo ndeshjen e parë e zhvilloi kundër lojtares nga Togo, të cilën e fitoi me rezultat 3-0. E ndeshjen tjetër kundër lojtares nga Gaboni, kundër të cilës fitoi me rezultat 3-0. Në të 16-tën e finales, ajo u ndesh me lojtaren nga shteti nikoqir dhe fitoi me rezultat 3-1. Alma gjithashtu u eliminua në fazën çerekfinale pasi pësoi humbje e parë individuale në lojërat frankofone nga lojtarja armene me rezultat 0-3. Në përgjithësi Mehmeti i shënoi 7 fitore nga gjithsej 10 paraqitje në 3 kategori.

“Përveç paraqitjes mbresëlënëse të lojtarëve tanë në lojërat frankofone në Kongo ku shënuan shumë fitore dhe patën mundësi të mira për të kaluar në gjysmëfinale, ata patën shumë intervista nëpër media të ndryshme, siç ishin mediet nga Franca. Urojmë që përfaqësuesja e Seniorëve të Kosovës të ketë paraqitje të mirë edhe në Kampionatin Ballkanik për Senior, i cili do të mbahet në fillim të shtatorit në Bullgari”, thuhet në njoftimin e Federatës së Pingpongut të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një snajperë ukrainase e quajtur “Joan of Arc” është përshkruar…