KPMShCK-ja triumfon ndaj Ministrisë së Drejtësisë, Gjykata e Apelit i jep të drejtë për rastin e Ylber Topallit

04 gusht 2023 | 16:31

Ministria e Drejtësisë e ka humbur edhe një betejë në gjykatë. Gjykata e Apelit e Kosovës i ka dhënë të drejtë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) për rastin e kryeinspektori Ylber Topalli.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, tregon se ankesa e këshillit është pranuar si e bazuar.

Në pikën dy të aktvendimit thuhet se duhet të ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili kishte vendosur që të pranohet ankesa e Ministrisë së Drejtësisë ndaj vendimit të KPMSHCK-së për rastin e ish-kryeinspektorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ylber Topallit.

Në këtë mënyrë, Apeli ka bërë me dije se tani duhet të respektohet vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShK).

“I. Miratohet si e bazuar ankesa e të paditurit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me seli në Prishtinë. II. Ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti për Çështje Administrative, A.nr1089\2023. Të datës;03.07.2023, dhe çështja gjykohet si në vijim: refuzohet propozimi i paditëses-propozueses, Ministria e Drejtësisë me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me seli në Prishtinë, A.nr638\2023, i datës 29.05.2023, si i bazuar”, thuhen në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Avokati: Drejtësia po vihet në vend

Faton Fetahu, avokati i Ylber Topallit, ka thënë se padrejtësisë njëvjeçare po i vije fundi.

Në një prononcim për gazetën “Nacionale”, Fetahu ka thënë se më në fund klienti i tij do të rikthehet në vendin e tij në punës.

“Një padrejtësie një vjeçare, sot i erdhi fundi. Klienti im, Ylber Topalli përfundimisht do të rikthehet me verdikt gjyqësor të Apelit në vendin e tij të punës, si Kryeinspektor në Shërbimin Korrektues. Pas fitores së betejës ligjore me Ministrinë e Drejtësisë në KPMShCK, ai përseri nuk u kthy në punë për shkak të ankesës së pabazuar të MD në Gjykatën Themelore, vendimi i të cilës sot u rrezua përfundimisht nga Gjykata e Apelit”, ka thënë Fetahu.

Ai ka bërë me dije se vendimi i Ministrisë së Drejtësisë ndaj ishte hakmarrës.

“Nga njëra anë, ndihem shumë i gëzuar për klientin tim betejën për të cilin se bashku me KPMShCK e fituam edhe autoritetet gjyqësore, por ndihem keq se si i njëjti, duke qenë një patriot u dëshmuar që ka lënë gjymtyrët e trupit nëpër burgjet jugosllave, përballet me këtë qeveri hakmarrëse dhe paaftë”, ka thënë ai.

Historiku i rastit

Para disa muajve, Ministria e Drejtësisë kishte shkarkuar nga detyra kryeinspektori Ylber Topalli. Këtë shkarkim ministria e kishte arsyetuar me disa shkelje që, sipas tyre, Topalli i kishte bërë në rastin Astrit Dehari.

“Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet se: Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurise nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kan kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit.”, ishte thënë në reagim e ministrisë.

Topalli shkarkimin e kishte cilësuar si jo të drejtë dhe ishte ankuar KPMShCK. Ky i fundit e kishte pranuar ankesën e tij dhe kishte vendosur se shkarkimi i Topallit ka qenë i padrejtë.

Ministrisë së Drejtësisë nuk i kishte pëlqyer vendimi i këshillit. Ministria kishte sfiduar vendimin në Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të tij.

Gjykatës Themelore në Prishtinë i kishte vendosur që të pezullohet ekzekutimi i vendimit. Ndaj këtij vendimi KPMShCK-ja ishte ankuar në Gjykatën e Apelit. Dhe kjo e fundit në mënyrë përfundimatre ka vendosur se vendimi i KPMShCK-së ishte i drejt dhe Ylber Topalli duhet të kthehet në punë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Faton B. Mehmetaj Dokumentet më të rëndësishme për kishën…