Kica-Xhelili kundër udhëzimit për largimin e kryetarëve: Do të ishte jokushtetues dhe jo ligjor

04 gusht 2023 | 21:26

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, ka komentuar Udhëzimin Administrativ i cili i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit.

Kica – Xhelili tha se çështja e largimit të kryetarëve të komunave në veri është e qartë dhe ka vetëm dy mënyra.

“1. Dorëheqje me ç’rast hapet menjëherë mundësia e vazhdimit me zgjedhje të reja (që ishte rekomandim i LDK qe tanimë disa muaj); ose

2. Përmes Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, që përcakton mundësinë e iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve aktual. Kjo dispozitë, parasheh që kërkesa të nënshkruhet nga 20% e votuesve të regjistruar. Nëse kërkesa e tillë paraqitet, shkohet me zgjedhje ku votohet Për apo Kundër largimit të kryetarit aktual. Nëse shumica (pra së paku 50%+1) e votuesve votojnë Për largim, atëherë shkohet në zgjedhje të reja”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se në mungesë të dorëheqjeve, mundësia e vetme mbetet peticioni, për të cilin tha se ku flitet për nenin 72, e që sipas saj, është neni i vetëm i aplikueshëm në këtë kuptim, mundësitë janë plotësisht kufizuara.

“Neni 72, nuk jep autorizime shtesë për KQZ, e aq më pak për Qeverinë e Republikës së Kosovës, që të zgjeroj kompetencat e saj në përcaktimin e çfarëdo forme tjetër apo edhe në sqarimin e detajeve specifike me rastin e aplikimit të Nenit 72. Kjo, për arsye se i gjithë procesi i nismës së tillë ka të bëj me të drejtën dhe formën e votimit, dhe do të rrezikonte ndërhyrje në votën e lirë”.

“Prandaj, pyetja eventuale apo forma e parashtrimit të pyetjes së nismës (apo raste tjera referendumit) nuk guxon të jetë kurrsesi çështje që rregullohet me udhëzim administrativ. Ekzekutivi nuk ka dhe nuk guxon të ketë asnjë autorizim për implementimin e dispozitave zgjedhore të ligjeve pozitive (të aplikueshme) sepse ato janë përcaktues të votës së lirë. Për më tepër, nuk mund të bëhen as rregullime që mund prodhojnë efekte retroaktive që prekin mandatet ekzistuese”, tha Kica – Xhelili.

Më tej, Kica – Xhelili tha asnjë udhëzim administrativ nuk mund të përcaktojë pyetjen e peticionit, ku sipas saj, Neni 72 është i qartë në atë që e përcakton se qytetarët duhet të deklarohen “PËR (e rrjedhimisht si alternativë KUNDËR) largimit të kryetarit”.

“Këtu nuk ka asnjë hapësirë për diskutime lidhur me pyetjen. Çdo diskutim i tillë tejkalon autorizimet që rrjedhin nga Neni 72 dhe janë të palejueshme, sepse rregulli bazik i çdo udhëzimi administrativ është mos-tejkalimi i ligjit (me që udhëzimi është akt NËNligjor)”, tha ajo.

Kica – Xhelili tutje tha se në rastin konkret, një udhëzim siç po flitet, do të ishte jokushtetues dhe joligjor.

“E para, sepse nuk ekziston asnjë autorizim i tillë për Qeverinë apo KQZ në asnjë ligj që rregullon zgjedhjet; dhe

E dyta, Qeveria (ekzekutivi) nuk mund ta normoj materien zgjedhore sepse këtë e bën Kuvendi përmes Kushtetutës dhe/ose ligjeve, dhe as të përcaktoj pyetjet e nismës që lidhet drejtpërdrejt me shprehjen e vullnetit të popullit”.

“Të jemi të qartë, pra, që në parim, çdo deklarim plebishitar mbi një çështje nënkupton formë të referendumit, por në rastin konkret, mundësia e heqjes së kryetarëve është paraparë me peticion qytetarë”.

“Në secilin rast, nëse Qeveria apo KQZ dalin me një udhëzim të tillë, gjasat janë shumë të mëdha që ai do të jetë jokushtetues”, tha ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BE-ja ka treguar gatshmëri që të ofrojë mbështetje ligjore dhe…