Presidentja Osmani: Djegia e shtëpisë së Joziqit, akt i papranueshëm

05 gusht 2023 | 19:01

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur “akt të papranueshëm” djegien e shtëpisë së Svetisllav Joziqit në një fshat të Istogut, pas një vizite më 5 gusht.

Osmani e vizitoi shtëpinë serbit të kthyer të Kosovës, e cila u dogj nga persona të panjohur më 10 korrik, duke e cilësuar atë “vepër kundër Republikës sonë”.

“Istogu ka qenë gjithmonë një shembull shndritës i gjithëpërfshirjes që e ka mbërthyer forcën e diversitetit. Djegia e shtëpisë së familjes Joziqi është vepër e papranueshme. Derisa ne po ua rindërtojmë shtëpinë atyre, jemi të përkushtuar të sigurohemi se ata do të ndihen të sigurt”, shkroi presidentja Osmani në rrjetin social X, i njohur dikur si “Twitter”.

Më 7 korrik të këtij viti, Joziq mori çelësat e një shtëpie të sapondërtuar në fshatin e tij të lindjes, Veriq, në territorin e komunës së Istogut. Vetëm tri ditë më vonë, ai u njoftua se autorë të panjohur ia kishin vënë zjarrin.

Svetisllav Joziq është i pari serb i kthyer në fshatin Veriq të komunës së Istogut, rreth 80 kilometra nga Prishtina.

Lajmi për djegien e gjeti atë në Jagodinë, një qytet në Serbi ku ai jeton i zhvendosur për më shumë se dy dekada.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani Vazhdon përkrahja për Shtatoren e Tribunit të Kombit…