Rusisë i konvenon zgjatja e krizës në veriun e Kosovës

05 gusht 2023 | 21:22

Shkruan: Milazim Krasniqi 

Me këtë krizë Rusia i bën presion Perëndimit, që të mos involvohet më shumë në ndihmë ndaj Ukrainës. Me këtë krizë e mban Serbinë të lidhur pas qerres ruse, si gjoja mbrojtëse e saj nga Perëndimi edhe në KS të OKB-së. Absurd më vete është që qeveria Kurti e ka inicuar krizën në veri, me atë vendimin për targat e veturave, ndërsa Serbia e shfrytëzoi për të realizuar skenarin e Rusisë për destabilizimin dhe izolimin e Kosovës. Ai vendim absurd për targat dhe disa nga masat që pasuan kanë prodhuar pasoja kundër intesesit tonë shtetëror. Kriza e tashme mund të rritet edhe më shumë në vjeshtë, nëse qeveria Kurti nuk e kupton që kjo krizë po i duhet Rusisë. Rusia synon të formojë në verioun e Kosovës një lloj Abhazie, Osetie ose Donbasi, për ta mbajtur peng shtetin e Kosovës dhe për ta rritur influencën ruse në rajon. Prandaj qeveria Kurti duhet të ndërmarrë veprime konkrete gjatë këtij muaji, që të shmanget skenari i konfliktit të armatosur që është planifikuar nga Rusia për në vjeshtë. Ndër veprimet urgjente duhet të jetë dorëheqja urgjente e katër kryetarëve në komunat veriore dhe mbajtja sa më shpejt e zjedhjeve me pjesëmarrjen e serbëve. Ata kryetarë janë atje kot dhe nuk përfaqësojnë ndonjë standard demokracie e as barazie. Është marrëzi që Kosova të mbahet peng i mandatit të tyre të kotë. Ata nuk përfaqësojnë askend, meqë tre prej tyre nuk guxojnë të dalin në zyra, ndërsa njëri nuk guxon të dalë nga zyra. Pra, mbajtja e zgjedhjeve sa më shpejt, mund ta rikthejë procesin e integrimit të serbëve në binarë e me këtë e zvogëlon influencën malinje të Rusisë dhe diktatin fashizoid të Serbisë. Nëse kjo nuk bëhet me vendosmëri, atëherë duhet të kërkohet në pista të tjera përgjegjësia e qeverisë Kurti. Jo vetëm në pistën e përgjegjësisë politike. Rrezikimi i sigurisë dhe ekzistencës së shtetit dhe rrezikimi i sigurisë së NATO-s, pashmangshëm do të adresohej si përgjegjësi penale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Derisa vazhdojnë negociatat për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian,…