Kurti emëron Ejup Maqedoncin ministër të Mbrojtjes

08 gusht 2023 | 11:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se ka emëruar Ejup Maqedoncin ministër të Mbrojtjes.

Emri i Maqedoncit në këtë detyrë vjen pas dorëheqjes së Armend Mehajt.

“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të Mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë.  Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Maqedonci ka dalë në pension të parakohshëm nga Forca e Sigurisë së Kosovës në korrik të këtij viti. Ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit.

Më pas si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ka shërbyer për një dekadë si komandant i batalionit për kërkim-shpëtim.

Maqedonci më pas ka vazhduar detyrën e shefit të departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në shtabin e përgjithshëm të FSK-së.

Pas pensionimit, Mehaj i ka ndarë Maqedoncit “Medaljen e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hedhur shorti për Rrethin e Parë Parakualifikues për Kupën…