Kurti: Reforma është domosdoshmëri e vetingu është zgjidhja

09 gusht 2023 | 11:36

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se reforma në drejtësi është domosdoshmëri e vetingu është zgjidhja.

Në mbledhjen e 24 të qeverisë, Kurti ka thënë se janë të shumta rastet kur si pasojë e mosveprimit të sistemit të drejtësisë, persona të ndryshëm me precedentë të shumtë penalë, lëvizin lirshëm, qoftë të liruar nga organet apo edhe të pandjekur fare penalisht, e të cilët rrezikojnë dhe marrin jetën e qytetarëve tanë, raporton “Epoka e re”.

“Reforma është domosdoshmëri e vettingu është zgjidhja. Tash e 5 muaj jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese t’i hap sa më shpejtë rrugë jetësimit të kësaj reforme. E koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se edhe raporte të ndryshme kredibile vendore dhe ndërkombëtare, konstatojnë se drejtësia jonë vazhdon të jetë joefikase dhe e ngadaltë dhe të përshkruhet me fenomenin e rasteve të shumta në rigjykim dhe vendimeve jo të duhura ndëshkimore.

“Nuk mungojnë edhe rastet më ekstreme, madje tashmë të njohura edhe për publikun, kur nga dënimi me burgim të përjetshëm të shqiptuar në shkallë të parë, instanca e fundit, Gjykata Supreme, kishte liruar tërësisht nga akuza të pandehurin, në një proces maratonik gjyqësor, të gjykuar dhe rigjykuar. Në shumë raste, kur ndodhë një krim, po duhet të ngritët shoqëria në mënyrë që të kemi vendim meritor nga Gjykata. Shembull është rasti i fundit me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të së ndjerës Marigona Osmani, pra Dardan Krivaqa. U dashtë një shoqëri e një popull i tërë ta dënojë publikisht krimin, në mënyrë që Gjykata të mund ta nxjerrë një verdikt meritor”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se vendimet meritore të sistemit të drejtësisë kanë ndikim të dyfishtë në shoqërinë e çdo vendi.

“Sipas Raportit të UNDP dhe USAID – Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, teksa niveli i kënaqshmërisë për Qeverinë është rritur në mbi 50%, për organet gjyqësore dhe ato prokuroriale trendi i tillë vazhdon të jetë i ulët. Sipas po këtij raporti, kënaqshmëria e qytetarëve për performancen e sistemit të drejtësisë – gjykata dhe prokurorinë është vetëm 29%”, ka thënë ai.

Kryeministri ka shtuar se sipas statistikave të gjyqësorit, gjatë vitit 2022 Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim plotë 1,754 raste.

“Ky raport e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngulfat atë, e vonon drejtësinë, e humb besimin e qytetarëve, dhe si efekt përfundimtar, në mungesë të ndëshkueshmërisë efikase, rrezikon të inkurajojë krimin dhe kriminalitetin”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e 154-të të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka…