Sylvinho: Ëndërrojmë kualifikimin në ‘Euro 2024’

09 gusht 2023 | 14:57

Pushimeve të Sylvinhos po iu vjen fundi, ndërsa trajneri i kombëtares së Shqipërisë duket se po mendon që tani për sfidat e shtatorit në eliminatoret e “Euro 2024” ku “kuqezinjtë” do luajnë kundër Çekisë dhe Polonisë. Për këto dy sfida, aventurën e tij shqiptare, por edhe objektivat e së ardhmes, tekniku brazilian ka folur në një intervistë të gjatë për “Radio Marca” në Spanjë.

“Ne e nisim planifikimin me stafin dhe kombëtarja është çështje e komplikuar. Në qershor ishte e vështirë për ngarkesat e punës, pushimet. Tani nga pak është pak më ndryshe, vjen nga faza përgatitore me pak ndeshje dhe duhet të gjejmë lojtarët më të përgatitur për dy ndeshjet që kemi më 7 dhe 10 shtator”, u shpreh tekniku brazilian. Sylvinho tregon për radion spanjolle edhe forcën e skuadrës kuqezi, por nuk harron të nënvizojë edhe faktin se ende nuk e ka grupin e plotë për shkak të dëmtimeve. “Lojtarët janë të rinj, por të rëndësishëm, ka një përzierje të mirë. Është mëkat për Kumbullën e Romës që u dëmtua, edhe Broja gjithashtu, kemi 2-3 lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar. Por ka lojtarë shumë të mirë e të përkushtuar. Jam mahnitur me qasjen e tyre, të lojtarëve, se po japin gjithçka. Kjo më lumturon shumë”, ka thënë Sylvinho.

Tekniku kuqezi nuk e fsheh objektivin e parë madhor që beson se do ta arrijë në bankinën e kombëtares shqiptare.

“Presioni nuk është, por është ëndrra e vendit. Megjithatë është një grup i fortë, i vështirë dhe shumë i ekuilibruar. Gjërat po shkojnë kështu, të gjithë po luftojnë, edhe ne jemi në garë. Është e vështirë, një grup i komplikuar, por më pëlqen. Më pëlqen që të bëjmë punën mirë, detajet, shumë punë. Është një ëndërr, duam të jemi në Gjermani 2024”, u shpreh lideri i bankinës së Kombëtares. Nga objektivat realë te ëndrrat e mëdha, si përshembull një ndeshje kundër Brazilit me trajner Ancelottin.

“A e imagjinoj një Brazil-Shqipëri me Ancelottin në bankinën e Brazilit dhe Sylvinhon në atë shqiptare? Si jo, sigurisht që po. Ancelotti te Brazli ndërsa drejton Realin? Një temë e komplikuar, mungojnë shumë gjëra. Ancelotti është ndër më të mirët, të mos themi më i miri, është një nga më të mëdhenjtë, i jashtëzakonshëm, ai po bën gjëra të mëdha”, u shpreh në fund të intervistës tekniku Sylvinho. Me Sylvinhon në bankinë, kombëtarja e Shqipërisë renditet në vendin e dytë të Grupit E eliminator të Euro 2024 me dy fitore dhe një humbje. Por vendimtare mund të jenë dy sfidat e shtatorit, ku kuqezinjtë do të luajnë kundër Çekisë në transfertë më 7 shtator dhe tre ditë më pas do të presin Poloninë në “Air Albania”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Besnike Haxhidema shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me numër:…