Mehaj s’ka lejuar të dirigjohet, s’besoj se dha dorëheqje për arsye personale

10 gusht 2023 | 08:11

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se një numër i konsiderueshëm i oficerëve të FSK-së e kanë lënë ushtrinë. Kjo, ka theksuar ai, ka ndodhur për shkak të mosinvestimit në standardet e tyre.

Në KTV, Kastrati ka thënë se duhet të punohet shumë sidomos me oficerët pasi për përgatitjen e tyre investohet shumë.

Sipas tij, ushtari dhe polici nuk duhet ta kenë pagën nën 700 euro.

“Jam i kënaqur me numrin e rekrutimit të ushtarëve, por nuk jam i kënaqur me ata që po e lënë Ushtrinë e Kosovës, sidomos me oficerët që tek ata investohet shumë, me miliona euro. Është një numër i konsiderueshëm që e kanë lënë. Një prej të metave që ka pasur Mehaj është dashur të jetë paralel me zhvillimet tjera, të investojë në standardet e ushtarëve. Nuk është puna t’ia ngrisësh pagën për 50-100 euro, por duhet të investosh edhe në kushte të tjera, sigurimi social, jetësor, transporti, pushimi, veshmbathja, etj”, ka deklaruar ai.

Kastrati ka folur edhe për dorëheqjen e Armend Mehajt si ministër i Mbrojtjes. Ka thënë se ministria ka shënuar progres më të lartë gjatë udhëheqjes nga ai, duke theksuar se Mehaj nuk ka lejuar që të dirigjohet nga askush.

“I vetmi dikaster që ka dhënë rezultate pozitive ka qenë Ministria e Mbrojtjes me Mehajn. Më e rëndësishmja e ka rritur bashkëpunimin me partnerët strategjisë, sidomos SHBA-në. Ka bërë blerje strategjike të armatimit. Kjo është ndoshta një prej arsyeve që Mehaj ka dhënë dorëheqje, sepse e ka karakterin e një ushtaraku, nuk lejon që të dirigjohet apo komandohet nga dikush tjetër”.
I pyetur nëse ndërhyrjet në punën e tij kanë ndikuar që Mehaj ta dorëzojë dorëheqjen si ministër, Kastrati ka thënë se “mund të ndodhë, sepse më së paku besoj që ai ka dhënë dorëheqje për arsye personale”.

Derisa ka folur për kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe armatimin, Kastrati ka thënë se pajisja me çfarëdo lloji të armatimit është bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania e ka arrestuar një oficer të agjencisë ushtarake të…