Diplomati holandez: Serbia minon stabilitetin në rajon

10 gusht 2023 | 11:38

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian në raport me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë pas deklaratave të fundit të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ndër të tjera tha se për Beogradin kusht për vazhdimin e procesit të dialogut është përmbushja e obligimeve të dakorduara më parë dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të tejkaluar çështjet e hapura.

Sipas diplomatit holandez, qeveria e udhëhequr nga Bërnabiqi bën gjithçka për të minuar stabilitetin në rajon e ndërsa fajëson palën tjetër për mos-konstruktivitet.

“Për Serbinë normalizimi nënkupton Kosova sërish nën sundimin serb. Serbia po bën lojë fjalësh, kjo po bëhet gjithnjë e më e qartë. Koha që BE-ja të shohë më në fund”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Bërnabiqi deklaratën në fjalë e ka dhënë pas takimit që ka realizuar të mërkurën me të deleguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Ndryshe me Peach, një ditë më parë është takuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Vuçiqi ndër të tjera ka thënë se me diplomatin britanik ka zhvilluar, siç e ka quajtur ai, një bisedë serioze dhe kuptimplotë për situatën e krijuar muajve të fundit në veri të Kosovës.

“Ramë dakord gjithashtu se është e nevojshme që Serbia dhe Britania e Madhe të bëjnë më shumë përpjekje në zhvillimin e ekonomisë sonë dhe marrëdhëniet të përgjithshme politike”, ka shkruar Vuçiqi në “Instagram”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Ilir Mirena ka bërë me dije se këtë jave…