![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/08/musa.png)
Flet dëshmitari: Sulmuesi ka shtënë me kallashnikov në drejtim të të gjithëve, lokali ishte i natës, jo i prostitucionit
Sipas dëshmitarit, Musa Gashi, një qytetar ka hy dhe ka shtënë me kallashnikov në drejtim të të gjithë njerëzve brenda lokalit rreth orës 1:20 minuta pas mesnatës, duke lënë të vdekur një person dhe të plagosur disa të tjerë në Runik të Skenderajt.
Gashi ka thënë se sulmuesi nuk e ka pas cak dikë të caktuar pasi ka shtënë në drejtim të të gjithë të pranishmëve brenda lokalit.
Ai ka thënë se të parin që e ka qëlluar sulmuesi ka qenë një kamerier, djali i pronarit të lokalit, kurse të tjerët janë lënduar.
Gashi ka thënë se sulmuesi kishte të veshur një bluzë ushtarake, derisa ka shtuar se lokali ishte lokal i natës por jo i prostitucionit siç po raportohet në disa medie.
“1:20 ka qenë ora. Jena kanë tu pi edhe ka hi një person ka shti me kallashnikov edhe e ka pas një bluzë të ushtrisë. Personi i parë që është goditë ka qenë kamerieri afër derës dhe tre të plagosur tjerë. Unë kam qenë në këtë pjesën e majtë prapa derës, nuk kam mujtë me pa, ama krismat e para që janë kanë, ka gjuajtur një person me kallashnikov dhe jemi ra përtokë, ata drejt me derë e kanë pa më saktë. Unë kam qenë majtas nuk kam pas mundësi me pa më shumë”, ka thënë Gashi.
Ai ka theksuar se nuk ka arritur t’i identifikoj sulmuesit e as nuk ka njohuri nëse të plagosurit dhe sulmuesit kishin ndonjë probleme mes vete.
“Nuk e di. Djalin e pronarit, kamerierin e njoh, nuk di që ka pas problem diçka. Ata tjerët nuk i njoh. Lokali nuk ka të bëjë me prostitucion, është vetëm me muzikë. Nuk kemi informacione se për çfarë arsye ka ardhur deri tek ky incident. Nuk e ka pas një objektiv sulmuesi, ka gjuajt sa ka mujtë në drejtim të gjithëve, jo vetëm që me thanë e ka pas cak një person”, ka deklaruar ai.