Kurti insiston: Peticioni, mënyra e duhur për zgjedhjet në veri, BE-ja t’i largojë masat

10 gusht 2023 | 15:45

Mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni, thotë kryeministri Albin Kurti.

Ai thekson se vetëm kur 20 për qind e trupit elektoral shpreh vullnetin për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë jepen dëshmi se nuk mund të ketë bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo kandidim.

Në anën tjetër, kreu qeveritar thotë se shpërshkallëzimi në veri në masë të madhe ka ndodhur, derisa kërkon nga Bashkimi Evropian që sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese dhe ta përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Kurti për KosovaPress thotë se po punojnë që sa më shpejt të bëhet rregullimi i çështjeve teknike dhe administrative për zgjedhjet e reja në veri.

“Sa iu përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh në fillim kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhje më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje më 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve aktualë. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do ta bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji. Tash ta presim punën e tyre, sa më shpejt aq më mirë, por edhe një herë po them nuk besoj se ka arsye më që të ketë ndokush dyshime se Kosova nuk është palë konstruktive. Përkundrazi ne jemi palë konstruktive që është dëshmuar me ide kreative dhe përkushtim për të gjetur zgjidhje”, thotë Kurti.

Ai shton se Kosova është e interesuar për shpërshkallëzim të plotë në veri mirëpo, sipas tij, duhet të jenë të kujdesshëm nga mundësia e ri përshkallëzimit të situatës atje.

“Ne e kemi një grup punues tash që e bën vlerësimin e gjendjes së sigurisë. Policia e Kosovës konsultohet edhe me EULEX-in dhe me KFOR-in. Si rezultat i këtyre vlerësimeve të këtij grupi profesional ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e policisë sonë në tri ndërtesat në tri komunat veriore të Kosovës. Jemi të interesuar për shpërshkallëzim të mëtutjeshëm, ndonëse është konstatim i përgjithshëm se në masë të madhe shpërshkallëzimi tashmë ka ndodhur. Nuk kemi protesta të dhunshme, s’kemi incidente veçse duhet të jemi të kujdesshëm nga potencialiteti i ripërshkallëzimit. Dihet që adresa për këtë nuk ndodhet në Republikën e Kosovës, por në kryeqytetin e fqinjit tonë verior”, deklaron kryeministri Kurti.

Duke folur për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, kryeministri Kurti thotë se të njëjtat nuk janë fer dhe duhet të hiqen sa më parë. Sipas tij, BE-ja ta përmirësojë qëndrimin ndaj Kosovës.

“Sa iu përket masave që janë marrë ndaj nesh, ne konsiderojmë se nuk janë fer. Janë pjesë e asimetrisë në raporte dhe sa më parë që të përfundojnë aq më mirë. Ne po bëjmë krejt çfarë mund dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Pasi një republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese”, thotë ai.

Në anën tjetër, Kurti e mirëpret edhe letrën e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë, ku kërkohet mbështetje më e madhe ndaj Kosovës dhe qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

“Nëpër parlamentet e shteteve të perëndimit demokratik, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithnjë e më shumë ka ligjvënës, përfaqësues të popujve liridashës dhe demokratikë të cilët dëshirojnë që qasja ndaj Kosovës të përmirësohet dhe ndaj Serbisë të ashpërsohet. Ne mendojmë se një iniciativë e tillë është e drejtë dhe dobishme”, përfundon Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fondacioni “Hasan Prishtina”, në shenje respekti për kontributin e dhënë…