Zyrtari i PSD-së: Kurti bëri drejtor Radomiroviqin që e përmendi si kriminel të veriut në Kuvend

10 gusht 2023 | 16:59

Nikola Radomiroviq është emëruar dje drejtor në komunën e Leposaviqit, kishte njoftuar më herët ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Por, sipas zyrtarit të PSD-së, drejtori i ri është “Nikola Radomiroviqi” që Kurti e përmendi në Kuvend, në listën e kriminelëve të veriut.

Kryeministri Albin Kurti, në një fjalim të tij në Kuvendin e Kosovës për tensionet në veri, kishte përmendur dhjetëra emra serbësh, që sipas tij, ishin prapa veprimtarive ilegale në veri. Ndër këta emra, ai kishte përmendur edhe një “Nikola Radomiroviq”.

Zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Bardh Ahmeti, ka shkëputur pjesën ku Kurti e përmend këtë emër, duke folur për një organizatë, sipas tij, kriminale të quajtur “Brigada e Veriut”.

Ahmeti pretendon se Nikola Radomiroviq i përmendur nga Kurti në listën e kriminelëve të veriut është personi që u bë së fundmi drejtor në Komunën e Leposaviqit, që e udhëheq në kushte të pazakonta Lulzim Hetemi i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Një fjalim i Albin Kurtit para dy muajsh në Kuvendin e Kosovës, fliste me emra për kriminelët në veri të Kosovës. Ama, a e dini se njëri prej tyre dje është emëruar drejtor në komunën e Leposaviqit”, ka thënë Ahmeti në një video të publikuar në rrjetet sociale.

“Ky është Albin Kurti. Kur i duhesh, nga kriminel të bën hero brenda ditës”, ka thënë zyrtari i PSD-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Malishevës ka filluar organizimin dhe mbajtjen e dëgjimeve…