Minatorët e ‘Trepçës’ sërish në protestë për mosekzekutim të pagave

11 gusht 2023 | 16:27

Minatorët e minierës së “Trepçës” në Stantërg, të cilët kanë nisur të enjten protestën shkaku i mosrealizimit të pagave me kohë për muajin korrik, kanë vazhduar me protestën e tyre edhe gjatë ditës së sotme.

Lajmin e ka bërë me dije për “Kosovapress”, Destan Kërleshi, nënkryetar i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës në Stantërg.

Sipas tij, minatorët kanë kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv ose dikush nga bordi që t’i takojë ata dhe t’ju japin sqarime rreth situatës me paga, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

‘Edhe sot vazhdon protesta e minatorëve si pasojë e pakënaqësisë për mospagesën e pagave nga muaji i kaluar… Edhe dje ndërrimi i parë, i dytë dhe i tretë kanë protestuar për shkak të mospagesës… Punëtorët kanë kërkuar nga kryeshefi ekzekutiv, por edhe nga bordi, që të sqarojnë para minatorëve pse nuk është realizuar pagesa e muajit të kaluar, por sigurisht nuk kanë gjetur kohë dhe arsye që të vijnë para minatorëve as kryeshefi dhe as bordi. Gojarisht ka thënë se do të bëhet pagesa sot ose të hënën, por me shkrim nuk ka asgjë se kur do të ndodhë… Do të thotë dje tri ndërrimet, edhe sot, pastaj vikendit, kjo është një humbje e madhe për ndërmarrjen, por shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim dhe ta gjejmë një mundësi që të bëhet pagesa sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Kërleshi.

Minatorët në Mitrovicë patën hyrë në grevë edhe një muaj më parë, në korrik për mos ekzekutimin e pagave të muajit qershor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edicioni i ri i garave në Superligën e Kosovës në…