Pagat e minatorëve të “Trepçës” do të ekzekutohen të hënën

12 gusht 2023 | 10:52

Pagat e minatorëve të “Trepçës” për muajin korrik do të ekzekutohen të hënën. Kjo, falë subvencioneve të ndara nga Ministria e Ekonomisë për punëtorët e Ndërmarrjes “Trepça” Sh. A. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, Enis Abdurrahmani, u.d. kryeshef ekzekutiv i “Trepçës”.

Sipas tij, ndërmarrja “Trepça”, në gjysmën e parë të këtij viti është ballafaquar me krizë të rënies së çmimeve të metaleve në bursë, si dhe me rënien e produktivitetit.

Por, përkundër kësaj, shtoi ai, Trepça i ka ekzekutuar pagat e punëtorëve në tërësi falë subvencioneve të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Abdurrahmani tha se ndërmarrja gjatë muajve të kaluar i është nënshtruar ristrukturimit dhe sistematizimit në të gjitha njësitë biznesore të saj, ku rezultatet do të duken muajt në vijim.

Ai ka përmendur edhe miratimin e rregullores për pagat, e cila kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të produktivitetit, prodhimit dhe të hyrave.

Kryeshefi ekzekutiv vuri në dukje papërgjegjshmërinë e disa punëtorëve të cilët përmes bojkotit në punë gjatë dy ditëve të kaluara për shkak të vonesës së ekzekutimit të pagave, i kanë shkaktuar ndërmarrjes humbje ditore në vlerë prej rreth 40 mijë euro.

Andaj, siç u shpreh ai, menaxhmenti ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të sanksionuar veprimet e dëmshme si rezultat i bojkotit në punë të disa individëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga janari e deri në fund të qershorit në Polici…