Jasharaj: Qeveria nuk dëshiron dialog, po bën çfarë po dëshiron

13 gusht 2023 | 15:11

Dialog në mes të Sindikatës së Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Qeverisë së Kosovës nuk ka.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj, ka thënë se nga viti i kaluar nuk janë takuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Më e keqja, më e madhja, jo vetëm për ne, por edhe për të tjerët, dhe ne e kemi thënë publikisht, se qeveria Kurti nuk ka dialog, nuk dëshiron dialog me sindikatat. Që nga greva e shtatorit e deri në momentin që po flasim, edhe pse kemi bërë kërkesa, i vetmi takim me zonjën Nagavci ka qenë një takim pak më tepër solemn, me disa buzëqeshje goxha artificiale nga ne dhe ata. Por takime të ndërsjella, të punës me ministren e arsimit nuk kemi pasur, dhe kjo ndodh për shkak të ministres Nagavci, por edhe me ministra të tjerë nuk ka pasur takime”, ka thënë Jasharaj ai për “Front Online”.

Ai ka thënë se qeveria Kurti po vepron “kokë më vete.

“Nuk ka takime, nuk ka dialog, qeveria po bënë ashtu siç po i teket, ne do të insistojmë me deputetët, dhe të pozitës, dhe të opozitës, që ta ngrisim vlerën e koeficientit, sepse po them edhe në arsim, edhe në sektorë të tjerë, shumica janë të pakënaqur” ka thënë Jasharaj.

Përndryshe, më 2022, viti i ri shkollor i pati gjetur nxënësit në shtëpi, e mësimdhënësit në grevë, kjo për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre.

Përveç mësimdhënësve, në grevë kanë qenë edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hartuar dhe është…