Arrestimi i Mujecit, Krasniqi për VV-në: Dikush shet drogë, dikush merr para prej tenderave

15 gusht 2023 | 20:46

Sot në Shqipëri është arrestuar Besnik Mujeci, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili pas këtij arrestimi u përjashtua me shpejtësi nga partia. Mujeci dyshohet për trafikim të drogës, ndërsa arrestimi i tij nga policia shqiptare nga ngjallur shumë reagime. Por për Florin Krasniqin, ish-deputet i VV-së, arrestimi i Mujecit është një rrjedhojë e ndryshimeve në VV.

Në një prononcim relativisht të gjatë, Krasniqi vlerësoi se arrestimi i Mujecit tregon se VV-ja është shndërruar nga një organizatë për aktivizëm politik në një organizatë për aktivitet kriminal.

“Kur unë iu kam bashkangjitë Vetëvendosjes, në vitin 2009, kanë qenë një organizatë për aktivizëm politik. Tash janë për aktivitet kriminal. Domethënë prej një organizate për aktivizëm politik është shndërruar në një organizatë për aktivitet kriminal.” – tha Krasniqi në një bisedë për Nacionalen.

Në interpretimin e Krasniqit, VV-ja në pushtet tash punon për të krijuar rrethana për pasurimin e aktivistëve e anëtarëve të rëndësishëm të saj.

“Vetëvendosje tashmë është aty për me kriju rrethana, për njerëzit e saj, me u pasuru me vjedhë sa të munden. Tash vetëm ndahet forma, dikush shet drogë, dikush vjedh rrymë, dikush merr para prej tenderave. Secili e ka formën e vet aty.” – deklaroi Krasniqi.

Tutje, ish-deputeti dhe ish-financuesi i VV-së, pra z. Krasniqi, dha edhe një interpretim tjetër interesant. Krasniqi vlerësoi se njerëzit e VV-së e dinë për njëri-tjetrin se çfarë bëjnë.

“Unë e kam njoft VV-në mirë. Tash veçse është sofistiku. Në këtë kuptim, Vetëvendosje e ka ditë se çfarë mobile kanë njërëzit në banesë. E kanë ditë sa e kanë pagu qiranë e banesës. Njerëzit në Vetëvendosje e dinë për njëri-tjetrin, saktë, kush e çka bën.” – shtoi ai.

Krasniqi ka bërë edhe një dallim, një shquarje mes “aktivitetit kriminal të partive të tjera” (sic!) dhe asaj tëVV-së.

“Dallimi ndërmjet aktivitetit kriminal të partive tjera është se ata kanë qenë të pa organizuar. Çdo aktivitet kriminal më herët ka qenë e paorganizuar. Tash Vetëvendosje e bën në mënyrë të organizuar; autobusi, stacioni, droga, bën sistem të korrupsionit.” – theksoi z. Krasniqi.

Në lidhje me këshilltarët e shumtë të Kurtit, z. Krasniqi deklaroi se ata janë spiunë.

“Këshilltarët e Kurtit, nuk janë aty për të këshilluar. Janë spiunë, të cilët i raportojnë Dejona Mihalit e Albin Kurtit. Janë rrjet spiunazhi, sikur Partia Komuniste e Shqipërisë. Këta nuk e duan Kosovën.” – përfundoi z. Krasniqi.

Ndryshe arrestimi për trafikim droge Mujecit, ka nxitur reagime të ashpra në vend. Partitë opozitare kanë kërkuar nga organet e drejtësisë të hetohet më gjerësisht ky rast, duke pretenduar se bëhet fjalë për një rrjet kriminal.

LDK-ja dhe PDK-ja kanë shprehur dyshime se Mujeci, i cili para pak kohe ishte emëruar aksionar në Ndërmarrjes Publike “Stacioni i Autobusëve” në kryeqytet, ka keqpërdorur këtë post për qëllime të ulëta.

Ndryshe, Alim Rama, sekretar i VV-së, ka treguar se Mujeci është përjashtuar nga partia.

“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Disiplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast.

Si rrjedhojë Komisioni Disiplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen të mbajtur sot me 15.08.2023 me vota unanime të 5 anëtarëve mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!” – shkroi ai. Nacionale

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtirsë Çlirimtare…