ShBA-ja dhe EULEX-i të shqetësuar për dorëheqjet e policëve serbë

17 gusht 2023 | 15:51

Shtetet e Bashkuara të Amerikës  (ShBA) dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë shprehur shqetësimin e tyre, pasi kanë bërë me dije se tre pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

Sipas shefit të misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, policët që kanë dhënë dorëheqje i ishin bashkuar së voni Policisë së Kosovës.

“EULEX po përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e policisë duhet të reflektojë dhe përfaqësojë shoqërinë për të cilën ata shërbejnë dhe mbrojnë. Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë të Policisë së Kosovës mund të kontribuojnë për sigurinë e komuniteteve të tyre përmes patrullimit”, ka shkruar ai në “X”, i cili më herët identifikohej si “Twitter”.

Shqetësime të ngjashme ka shprehur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Ne ritheksojmë përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po ndjekim nga afër këto zhvillime”,  ka shkruar Hovenieri në” X”.

Në nëntor të vitit të kaluar, pjesëtarët serbë të policisë në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje, si pjesë e dorëheqjeve kolektive të zyrtarëve serbë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut – në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Për të përmbushur vakumin e krijuar pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë shpallën konkurs për pranimin e policëve të rinj.

Në korrik të këtij viti 74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë kishin filluar punën në Policinë e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duhej të ishte një shëtitje pak orëshe brenda ditës, por…