Pensionohet punonjësi i Bibliotekës Kombëtare, Avdi Lakna

18 gusht 2023 | 09:23

44 vjet më parë, në moshën 21 vjeçe, ia pati filluar punës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Gjatë gjithë këtyre viteve kurrë nuk i ka shkuar mendja të punojë në një institucion tjetër. “Një herë mes librave, gjithmonë mes tyre. Punën e kam nisur në bibliotekë dhe këtu u pensionova”, na tha Lakna.

Deri dje Avdi Lakna ishte punonjësi më i vjetër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Po dje në hollin e ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës vetë ai organizoi një takim përshëndetës me kolegët dhe foli për marrëdhënien e punës në këtë institucion dhe me kolegët.

Gjatë 44 viteve në bibliotekë ka pritur dhe ka përcjellë disa drejtorë. Ka pritur dhe ka përcjellë mijëra lexues.

Në një intervistë të shkurtër për “Epokën e re”, Lakna rrëfeu: “Punën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës e kam filluar më 01.11.1979, fillimisht punëtor sigurimi në objektin e vjetër pastaj, kur kaluam në objektin e ri më 25.05.1982, një vit pas kalova në Departamentin e Informacionit dhe Shërbimit për Përdorues në depon e librit. Në vitin 1984 iu nënshtrova testit dhe e kreva me suksese provimin profesional për avancim në karrierë. Atëkohë askush nuk mund të merrte një detyrë pa iu nënshtruar testit për avancim sikurse ndodh tash. Në tetorin e  vitit 1990 serbët na larguan me dhunë nga biblioteka. Gjatë kësaj periudhe u angazhova për përkrahje të arsimit shqip. Grumbulluam të holla nga prindërit e nxënësve dhe formuam Këshillin e Financimit. Më angazhuan inkasant për grumbullimin e  mjeteve monetare për ta mbajtur gjallë arsimin në Kosovë. Këtë punë e kam kryer me përgjegjësi dhe për çdo vit jam shpallur inkasanti më i mirë dhe jam shpërblyer dhe falënderuar për punën e bërë. Pas largimit me dhunë nga puna në vitet ’90, më 01.04.1999 serbët më dëbojnë edhe nga banesa. Me familje migrova në Holandë tre muaj. Sapo u ktheva dhe sapo nisi puna në institucionet qendrore të Kosovës, në vitin 2001 ia rifillova punës në Departamentin e Katalogimit, pastaj në atë të Klasifikimit në Bibliotekën Kombëtare derisa filloi puna me programin elektronik dhe u bënë bashkë katalogimi dhe klasifikimi. Në vitin 2007 kalova në Departamentin e Arsimimit Bibliotekar dhe qëndrova deri sot në pensionim. Gjatë viteve të punës në këtë departament kam rregulluar bibliotekat e burgjeve në Kosovë, kam realizuar trajnime për punonjës të bibliotekave publike dhe speciale të Kosovës. Më 2011 kemi themeluar edhe bibliotekën e FSK-së, të cilën e kemi pajisur me literaturë të mjaftueshme dhe e kemi përgatitur sipas standardeve bibliotekare. Kam qenë kryetar i Shoqatës së Bibliotekave të Kosovës dhe kryeredaktor i revistës ‘Biblioteka’. Sot e përmbylla karrierën time dhe u përshëndeta me kolegët e punës me kujtimet më të mira”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani sot do ta vizitojë komunën e Klinës.…