Flamur a vdekje

18 gusht 2023 | 14:16

Shkruan: Musli Krasniqi

Historia botërore ende nuk ka dhënë ndonjë dëshmi bindëse mbi origjinën e saktë të flamujve kombëtarë. Shumë kombe gjatë projektimit të identiteteve të tyre nëpër etapa të ndryshme historike, dizajnuan edhe simbolet e tyre kombëtare, duke u përpjekur të çojnë gjenezën e identitetit sa më thellë në lashtësi dhe po ashtu duke mëtuar që mbi këto projeksione të paraqesin në simbolin kombëtar, siç është flamuri, elemente që konfirmojnë lashtësinë e pretenduar.

Por populli shqiptar nuk kishte nevojë për fabrikime të tilla, ngase simboli identitar kishte histori të pastër disashekullore. Me origjinë perandorake bizantine, flamuri me shqiponjë mori formë në kohën e Skënderbeut, për t’u bërë shtyllë e ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar, deri në shpalljen e pavarësisë më 1912.

Në viset e mbetura nën pushtim, shqiptarët u privuan nga e drejta e përdorimit të flamurit të tyre kombëtar, deri në masën sa gjeneratat e reja pas Luftës së Dytë Botërore mos ta kishin idenë se si dukej simboli i ndaluar i kombit të tyre.

Natyrshëm rezistenca ndaj pushtuesit dhe lufta për të drejta kombëtare duhej të kishte në bazament kërkesën për përdorimin e flamurit kombëtar. Ndërsa nga këndi i tij pushtuesi padyshim do të luftonte me të gjitha mjetet që rëndom ata përdorin, për të bërë të pamundshëm arritjen e këtij synimi. Sepse, sipas tezave parashikuese të vetë ideologëve të politikave shoviniste serbe e hartuesve të elaborateve për shfarosjen e shqiptarëve, lejimi i përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar në Kosovë dhe viset e tjera nën Jugosllavi, do të thoshte, si rezultat final, bashkim me Shqipërinë.

Në këtë ballafaqim midis të parës, si e drejtë legjitime e një kombi për liri dhe të drejta kombëtare dhe në anën tjetër, politikave shoviniste jo vetëm për të bërë të pamundshëm këto qëllime, por edhe për të tjetërsuar realitetet demografike historike, do të duhej gjak e sakrifica.

Në këtë luftë për flamur do të shquhej mësuesi i ri nga Sankovci i Drenicës, poeti e prozatori, veprimtari i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, të Adem Demaçit, i riu Fazli Grajçevci.

Pas një veprimtarie të ngjeshur atdhetare dhe pasi kishte ngritur në prill të vitit 1964 flamurin kombëtar në majën e Goleshit, më 3 gusht 1964 do të binte në duart e UDB-së jugosllave, për t’u përballur për 14 ditë rresht me tortura çnjerëzore.

Vdiq si hero më 17 gusht 1964 në burgun e Prishtinës, në moshën 29 vjeçare, duke përmbushur edhe një parashikim të kobshëm: “Nëse hyj në burg, nuk dalë i gjallë që andej”.

Përpjekja e organeve të UDB-së për ta paraqitur vrasjen çnjerëzore të tij si vdekje nga tuberkulozi, përkundër trysnisë, nuk u zyrtarizua nga doktori shqiptar, Ali Sokoli, i cili nuk firmosi dokumentin e rremë.

As mbyllja e kufomës së Fazliut hermetikisht në arkivol të metaltë, në mënyrë që familja të mos e shihte trupin e gjymtuar prej torturave, nuk arriti të fsheh të vërtetën.

Katër vjet pas, flamuri kombëtar, i ujitur me gjakun e Fazliut e të mijëra luftëtarëve të tjerë, fitoi të drejtën të valojë në qiellin e Kosovës.

Fazli Grajçevci apo siç e ka pagëzuar historia, simboli i flamurit, u bë gjithashtu simbol qëndrese dhe motiv lufte për brezat pas tij, si shëmbëlltyrë e veprimtarit të paepur për të drejta kombëtare, deri në flijim.

No description available.

Fazli Grajçevci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Blerim Latifi Sabri Lutfiun e kam shok të fëmijërisë.…