Qeveria humb betejën në gjyq kundër pushtetit të Përparim Ramës

21 gusht 2023 | 11:34

Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) është i sigurt.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të kryeqytetit do t’i takojë atyre pas një beteje të gjatë me opozitën, në të cilën është përfshirë edhe qeveria.

Të hënën, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka vërtetuar ligjshmërinë e emërimit të Pëllumb Bajqinovcit në krye të Kuvendit Komunal.

Kundër shkarkimit të ish-kryesuesit Fehmi Kupina dhe zëvendësimit të tij me Pëllumb Bajqinovcin, ishte ankuar në gjykatë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Qeveria e kishte kontestuar ligjshmërinë e seancës së mbajtur më 27 qershor. Kishte kërkuar vendosje të masës së sigurisë për mbledhjen dhe të gjitha vendimet e nxjerra nga e njëjta.

MAPL-ja pretendonte se Kuvendi i Komunës së Prishtinës ligjërisht ka kryesues dhe se ai është Fehmi Kupina, ish-anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës i rreshtuar me opozitën kundër pushtetit të Përparim Ramës.

Por, vendimi i nxjerrë të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e MAPL-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjilani kthehet sot në fushë në përballjen e parë kundër…