Kryeziu thotë se në dy vitet e ardhshme do të zbehet vëmendja ndërkombëtare për Kosovën

22 gusht 2023 | 15:36

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka bërë me dije se gjatë dy viteve të ardhshme do të zbehet vëmendja ndërkombëtare për Kosovën.

Ai ka treguar se kjo do të ndodh për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në ShBA dhe BE.

Kryeziu ka shkruar në “Facebook” se Qeveria e Kosovës duhet ta dinamizojë procesin e dialogut me Serbinë.

“Vitit 2024 e 2025, kur do jenë zgjedhjet në ShBA dhe BE, nuk besoj se do jenë vitet më të mira për Kosovën, përkundrazi në këtë periudhë vëmendja ndërkombëtare ndaj Kosovës do të zbehet dhe s’do jetë e fokusuar në ndonjë zhvillim përmbajtjesor. Nëse qeveria aktuale nuk i jep dinamikë proceseve të cilat e përshpejtojnë dialogun, nuk merr përgjegjësi për fillimin e zbatimit të marrëveshjeve deri në fundin e vitit, mbase rrezikon që në dy vitet e ardhshme ta fus Kosovën në një fazë të status quo-së”, ka shkruar Kryeziu, duke shtuar se kjo gjendje do t’i sjell Kosovës pasoja të tjera.

“Kjo gjendje të cilën po e ndihmon qeveria, përpos mbajtjes së Serbisë brenda në politikat ditore e elektorale, do gjenerojë në përditshmëri situatë të brishtë dhe jo të qëndrueshme të sigurisë, ngecje në zhvillimin ekonomik e demokratik dhe humbje të mundësive për fuqizimin e shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kryeministrit Kurti, duhet ta kalojë linjën nga Kosova si projekt, tek Kosova si shtet i vërtetë, politik e demokratik”, ka shkruar Kryeziu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari që jeton në Amerikë, Uk Lushi, ka kritikuar kryeministrin…