Dita e Pavarësisë, Kurti: Kosova qëndron plotësisht prapa Ukrainës

24 gusht 2023 | 13:10

Në ambientet e “Ballkonit të hapur” të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, kanë mirëpritur të enjten qytetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në mesin e tyre edhe gazetarët ukrainas në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë” (“Journalists in Residence”) të mbështetur nga ekzekutivi për të shënuar bashkërisht Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Të mbledhur për të përkujtuar këtë moment historik, kryeministri Kurti bashkë me të ftuarit kanë vlerësuar qëndrueshmërinë, vendosshmërinë, por edhe unitetin e popullit ukrainas, të cilët ndonëse kanë kaluar 32 vjet pas shpallës së pavarësisë, sot e gjejnë veten përsëri në pozicionin që duhet ta mbrojnë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit të tyre kundër pushtimit rus.

Në adresimin e tij, kryeministri Kurti ka thënë se Republika e Kosovës qëndron plotësisht prapa Ukrainës në këtë mision të shenjtë, duke përmendur së fundmi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në Deklaratën e Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën.

“Vetëm këtë javë, ne iu bashkuam Deklaratës së Përbashkët të G7 për Mbështetjen për Ukrainën. Duke vepruar kështu, ne shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar gjithçka që mundemi për mbrojtjen e Ukrainës, në këtë kohë nevoje”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti ka veçuar edhe takimin që pati të hënën në Athinë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, teksa është shprehur me shpresë që në takimet e ardhshme të mund të diskutojnë se si Kosova dhe Ukraina mund të punojnë bashkë në promovimin e vlerave që ndajmë dhe interesave të përbashkëta që kemi.

Bashkë me urimin për Ditën e Pavarësisë, kryeministri Kurti ka uruar që herën tjetër “e së shpejti të mund të takohemi përsëri, por kësaj radhe për të festuar triumfin e Ukrainës kundër dhunës, brutalitetit dhe agresionit rus”.

Gazetarët ukrainas në këtë takim janë shoqëruar edhe nga kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe përfaqësueses së Qendrës Evropiane të Lirisë dhe Shtypit të Medias, Drejtori Menaxhues, Lutz Kinkel dhe Flutura Kusari.

fotografia e kryeministri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roli i Londrës si “Mbreti i Evropës” për ofrimin e…