Albert Halilaj kandidat i PS-së për Kukësin

24 gusht 2023 | 18:58

Asambleja e PS ka miratuar këtë të enjte kandidaturën e Albert Halilajt për garën elektorale në Bashkinë e Kukësit.

Drejtuesi politik i qarkut të Kukësit, Pandeli Majko ka reaguar nëpërmjet një statusi në Facebook, ndërsa shprehet se Asambleja e PS miraton kandidaturën e Arbert Halilaj.

Nga ana tjetër, situata brenda Partisë Demokratike është më kaotike se asnjëherë më parë, ku me shpalljen e emrave për primaret e zgjedhjeve vendore në Kukës nga fraksioni Berisha, PD-ja zyrtare ka shpallur një kandidaturë, që është ajo e Arif Rexhmatit.

Mirëpo, emri i këtij të fundit, figuron edhe në listën e gjashtë kandidatëve të primareve të Berishës!

Megjithatë, duket se vetë Rexhmati e ka vendosur drejtimin e tij dhe është ajo e kandidaturës nën logon e Partisë Demokratike dhe jo me koalicione të mundshme që Berishës mund t’i nevojiten për të qenë garues në Kukës.

“Ndonëse mbështes parimin e konkurrencës, gjykoj ashtu si shumë prej demokratëve, se futja në një proces primaresh kur ka mbetur vetëm një muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokratëve vazhdon të vuajë pasojat e konfliktualitetit dhe të fajësimit, me gjithë qëllimin e mirë në vetvete, nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërisë së tyre për fushatën”, shkruan vetë Rexhmati në një deklaratë për mediat që ka lëshuar Dega e PD-së Kukës.

Më tej, ai ka shtuar se hatërmbetjet e pas votimit krijojnë përçarje dhe jo bashkim të anëtarësisë, ndërsa besueshmëria e procesit jo vetëm që nuk jep garanci për bashkim, por mund të jetë burim konflikti gjatë dhe pas procesit, me dëme te pariparueshme për rezultatin në zgjedhje.

Nuk dihet ndërkaq një qëndrim i qartë i kampit Berisha sa i takon çështjes, kur minimalisht duket se prej listës së tyre ka ikur një kandidat primaresh dhe duhet parë tashmë nëse fraksioni do t’i bashkohet apo jo logos zyrtare të PD-së për të rimarrë drejtimin e Kukësit.

Berisha shpall primare të dielën

Kryesia e fraksionit Berisha në Partinë Demokratike ka organizuar punën për zgjedhjet e reja në Bashkinë e Kukësit, duke rezultuar përfundimisht edhe në një listë me gjashtë kandidatë për të qenë pjesë e garës, ku përmes primareve do të zgjidhet edhe garuesi i 24 shtatorit.

Sipas një njoftimi për shtyp, primaret do të mbahen të dielën e 27 gushtit dhe gjashtë kandidatë do të jenë pjesë e listës, për t’u votuar nga dega e Kukësit.

Siç bëhet me dije, dega Kukës pas mbledhjes së Kryesisë realizuar me drejtuesin politik të qarkut në datën 16 gusht 2023, ka mbledhur kandidaturat për primaret për zgjedhjet vendore të datës 24 Shtator 2023.

Dega ka sjellë 10 propozime të cilat janë kontaktuar nga Sekretariati Organizativ dhe janë ftuar të plotësojnë dokumentacionin e kandididimit për Primaret.

Deri sot gjithsesi, në afatin e fundit për pranimin e dokumentacionit kanë plotësuar formularët gjashtë kandidatë nga te cilët pesë janë propozuar nga dega dhe një është vetëpropozim.

Në listë bëjnë pjesë Ardian Elezi, Arif Rexhmati, Emri Vata, Gëzim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeleni.

Një dekret i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka caktuar 24 shtatorin si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë e Kukësit.

Lajmi u bë i ditur nga Presidenca shqiptare, duke cituar njoftimin për shtyp.

Më 16 qershor, Këshilli i Ministrave shkarkoi me vendim të menjëhershëm kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici.

Kjo, pas publikimit të një videoje erotike në media ku ai shfaqej teksa kryente akte seksuale me një vajzë.

Kryetari i Bashkisë Kukës kishte paraqitur më herët dorëheqjen në median sociale “Facebook”, bashkëngjitur një ndjese publike.

“Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve!”.

Kështu shkruante Gjici në postimin e tij në median sociale Facebook.

Prej fillimit të postimit, ai ka kërkuar ndjesë të thellë ndaj publikut dhe gjithkujt që e ka parë materialin, të cilin e ka etiketuar si “të shëmtuar”.

Mirëpo, njëkohësisht, e ka quajtur të gjithën një kurth nga kundërshtarët.

Prokuroria e Posaçme SPAK do të niste një procedim penal ndaj Gjicit, pas publikimit të një videoje erotike ku ai shfaqet së bashku me një vajzë në zyrën e tij.

Nga pamjet e videos duket ai, së bashku me një vajzë, duke kryer akte seksuale në atë çfarë duket si zyra e Gjicit.

Videoja ka qarkulluar gjerësisht në media sociale mëngjesin e 16 qershorit fillimisht, ku është shpërndarë edhe në platformën WhatsApp.

Prokurorët e SPAK-ut zbritën në terren në Kukës mëngjesin e 19 qershorit, ku sekuestruan serverin e kamerave të sigurisë, si edhe dokumente të ndryshme, të cilët mund të ndihmonin në hetimin e Safet Gjicit, ish-kryebashkiakut, i tërhequr tashmë nga detyra pas publikimit të një videoskandali seksual.

Gjici u arrestua më 24 qershor 2023 në Tiranë për korrupsion pasiv pasi dyshohet se ka favorizuar Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

Raste të tjera të ngjashme ka pasur edhe në të shkuarën, ku në një skandal të tillë ka rënë edhe ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili.

Apo, më parë, skandalet seksuale kanë shkuar edhe në nivel ministror, me Ylli Pangon, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht lidhur me ngjarje të tilla të ngjashme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se është shkarkuar…