Gërxhaliu: Nga funksionalizimi i Byrosë për konfiskimin e pasurisë më së shumti do të goditet diaspora

25 gusht 2023 | 12:37

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se nga funksionalizimi i Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora.

Ai është shprehur se çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti.

“Nga funksionalizimi i Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të goditet më së shumti diaspora. Çdo eksperiment me sistemin e drejtësisë mund të ketë pasoja negative tek shoqëria dhe shteti. Kjo vjen në shprehje sidomos kur mungon dialogu i mirëfilltë në mes të akterëve relevant brenda një shteti”, ka shkruar Gërxhaliu në “Facebook”.

Gërxhaliu është shprehur se kur ligjet bëhen me tendencë për interesa partiake e jo në funksion të shtetit, pasojat mund të jenë të dëmshme.

Më tutje, ai ka thënë se Byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe funksionalizimi i saj me ketë formë siç po prezantohet dhe në këtë kohë do të jetë një goditje direkte për diasporën dhe mërgimtarët.

“Kontributi i diasporës është i pakontestuar dhe në këtë drejtim duhet kuptohet e vërteta se përmes bankave dhe institucioneve financiare dërgohet një pjesë e madhe për Kosovën, por pjesa më e madhe e parave nga diaspora vijnë gjatë qëndrimit  të tyre në Kosovë që është trefishi i asaj që dërgohet në forma bankare. Kemi një diasporë punëtore e cila punon shumë jashtë orarit të punës dhe ndoshta nga dy punë vetëm për qëllimin e ndihmesë dhe investimeve në Kosovë. Investimet më të mëdha të diasporës janë në patundshmëri dhe është një pjesë e parave ndoshta mund edhe të jetë fituar jashtë orarit të punës. Të gjitha këto që i thashë më lart mund të kenë efekte negative në qoftë se kërkohet deklarimi i origjinës së parave ku diasporës mund t’i verifikohen edhe paratë nga organet e shtetit ku veprojnë dhe jetojnë”, ka shkruar Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të zhvillojë një vizitë…