Haliti: Paralajmërimi i Macroni për vizat është shumë serioz, pasojat do t’i vuanin qytetarët

29 gusht 2023 | 13:43

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka folur në lidhje me paralajmërimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për rishikimin e procesit të vizave.

Haliti ka thënë se nëse diçka e tillë ndodh përgjegjësit dihet se kush janë.

Paralajmërimin e Macronit, Haliti e ka cilësuar si tepër serioz, duke theksuar se pasojat do t’i vuanin qytetarët e Kosovës.

“Është tepër shqetësuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Nëse ndodhë, përgjegjësit s’kemi nevojë t’i kërkojmë, ata dihen. Por është koha që kryeministri të veproj. Sa i përket kërkesave të partnerëve tanë strategjik që janë: zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, zotimi që është bërë Ohër dhe tri kushtet e kërkuara nga BE-ja. Nëse kjo nuk ndodhë, paralajmërimi i zotit Macron është shumë serioz, pasojat do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haliti për gazetën “Blic”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar të hënën se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macroni ka thënë se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, ka thënë Macroni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Simone Inzaghi po shijon fillimin e shkëlqyer të sezonit…