Lulzim Basha mbledh Kryesinë e PD-së, gjysma e bojkotojnë

30 gusht 2023 | 22:47

Kreu i Partisë zyrtare Demokratike, Lulzim Basha, dy ditë përpara zhvillimit të Kuvendit Kombëtar të të djathtëve, ka mbledhur Kryesinë e Partisë, ku bie në sy një numër i madh anëtarësh, të cilët e kanë bojkotuar takimin.

Ashtu siç dihet tashmë, përçarja brenda PD-së mbetet e thellë, ku përtej të larguarve me fraksionin Berisha, edhe nga të mbeturit, nuk ka pasur frymë bashkëpunimi me Bashën.

Kështu, siç mëson Albanian Post, 19 kanë qenë të pranishmit në takim, qoftë fizikisht apo online.

Ata janë Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj (online), Flutura Açka, Jemin Gjana, Mirela Karabina, Taulant Zeneli, Endri Hasa, Indrit Sefa, Kreshnik Çollaku, Roland Bejko, Gentian Gaba, Agron Kapllanaj (online), Fitim Zekthi, Gazmend Koduzi (online), Merita Bakiu, Xhemal Gjunkshi (online), Taulanda Jupi, Orjola Pampuri dhe Arbi Agalliu (online).

Në mbledhje ndërkaq, nuk ishin Gazment Bardhi, Helidon Bushati, Lefter Gështenja, Saimir Korreshi, Bledjon Nallbati, Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Juela Hamati si edhe Jonila Godole.

Ndërsa, tre eksponentë të djathtë, kanë dhënë dorëheqje nga Kryesia, ku përfshihen Jorida Tabaku, Flamur Hoxha dhe Oriela Nebiaj.

Më 2 shtator ndërkaq, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, PD-ja zyrtare do të mbledhë Kuvendin Kombëtar.

“Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit, ne zgjedhim reformimin dhe modernizimin e forcës sonë politike, për t’ju përgjigjur sfidave të kohës dhe pritshmërive të qytetarëve për një ndryshim të vërtetë, për një politikë të pastër, propozuese, që lufton korrupsionin, ofron alternativën e duhur ekonomike dhe fuqizon përfaqësimin e qytetarëve”.

Sipas tyre, “guximi për të ndryshuar, duke pranuar gabimet e të shkuarës dhe duke mësuar prej tyre, është provë e vullnetit tonë për të kthyer Partinë Demokratike në alternativën që shqiptarët meritojnë”, shkruhej në njoftimin e lëshuar nga strukturat e djathta.

Siç është deklaruar më parë nga kreu i rizgjedhur i kësaj force politike, Lulzim Basha, ndryshimet staturore janë vendimmarrjet më të rëndësishme që priten të dalin nga ky Kuvend, së bashku me vendime organizative dhe me një agjendë politike të partisë.

Gjëra më konkrete mbi organizimin gjithsesi, i ka treguar deputeti i djathtë, Kreshnik Çollaku, ku ka bërë me dije së pari se Kuvendi do të kërkojë të ketë një funksion përbashkues të së djathtës, edhe pse ai nuk është pranuar në asnjë çast nga grupimi i Sali Berishës, apo deputetë të tjerë, të cilët nuk i përkasin dy fragmenteve dhe janë distancuar.

Një pikënisje do të ketë po ashtu për përballjen që PD-ja do të ketë me Qeverinë në muajt në vazhdim.

Pas dy shtatorit, sipas Çollakut, pritet që PD të bëjë një vlerësim të situatës dhe një formatim të të gjithë strukturave të brendshme të partisë.

“Përveç një vlerësimi të situatës politike në vend, situata me zhvillimet e shumta politike kërkon një përgjigje nga Partia Demokratike në formë të strukturuar”, ka nënvizuar ai.

Në debatet që parashikohen gjatë punimeve, pritet po ashtu të ketë diskutime staturore, të cilat lidhen me funksionimet dhe që do të marrin parasysh eksperiencat pozitive dhe negative të PD-së në këto vite opozite, për të riformatuar strukturat.

“Do të jetë edhe një proces që do të shtresëzohen, do të hidhen bazat e strukturave të reja të partisë. Pritet një lëvizje që do të prekë çdo segment dhe çdo strukturë të Partisë Demokratike nga qëndra deri në qelizën më të fundit”, ka përmbyllur në themel Çollaku, shpjegimin e asaj çfarë pritet.

Ndërsa, e paqartë, mbetet pritshmëria e grupimit Basha, i cili përfaqëson edhe partinë zyrtare juridikisht, për numrin e të pranishmëve në Kuvend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte është raportuar ekskluzivisht për një aksion të Antidrogës që…