Eurodeputeti holandez: S’kemi marrë asnjë sinjal se vizat për Kosovën janë në rrezik

31 gusht 2023 | 13:03

Në prill të këtij viti u përmbyll i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën me marrjen e vendimit nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe me publikimin në gazetën zyrtare. Qytetarët tanimë po presin 1 janarin e vitit të ardhshëm që të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

Për procesin e pritur gjatë sërish u krijua një drojë se mund të preket. Një deklaratë e presidentit francez, Emmanuel Macron, ka thyer prapë në diskurs të opinionit heqjen e mundshme të vizave për shkak të politikave ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët”, kishte thënë Macron në një fjalim para ambasadorëve francezë.

Ndërsa eurodeputeti holandez, Thjis Reuten, i cili ishte raportues në Parlamentin Evropian për liberalizmin e vizave të Kosovës, në një përgjigje për “Express” ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë sinjal mbi këtë çështje.

“Kur bëhet fjalë për hyrjen në fuqi të regjimit të ardhshëm pa viza për Kosovën nga 1 janari 2024 e tutje, nuk kemi marrë asnjë sinjal se është në rrezik”, ka thënë ai.

Rastet kur hiqen vizat për një shtet nga BE janë ekstreme dhe aktualisht Kosova nuk është në këto rrethana. Këtë e ka thënë edhe Reuten, i cili ka bërë me dije se kjo s’mund të thuhet rastësisht.

“Ne nuk jemi ekspertë për procedurën e heqjes së vizave dhe ndoshta kjo është diçka që duhet të shikohet me Komisionin Evropian. Ne e dimë se revokimi i vizave individuale është i mundur vetëm në kushte të caktuara dhe nuk mund të ndodhë rastësisht”, ka thënë eurodeputeti holandez.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani dje ka paralajmëruar mbi pasojat që mund të ndodhin në rast se ndodh kjo në të vërtetë.

“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Në fjalimin e tij para krerëve të misioneve franceze nëpër botë, presidentit francez kur i ka ardhur radha që të flasë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ka potencuar se Franca do të vazhdojë të jetë vigjilente sa i përket këtij rajoni.

“Ne do të vazhdojmë të jemi shumë vigjilentë për situatën e sigurisë dhe atë politike në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, ne kemi ndërtuar me Gjermaninë një udhërrëfyes të ri dhe një propozim të ri për mospajtimet që kanë Serbia dhe Kosova. Unë besoj se ky udhërrëfyes është i mirë. Ai u mbështet nga negociatori evropian dhe përfaqësuesi ynë. Prandaj ne jemi duke pritur një riangazhim të qartë nga të dy palët, e kam fjalën për riangazhim për zgjedhjet e pritura komunale, një riangazhim serb lidhur me institucionet, njohje të komunave, veçanërisht në veri nga ana e institucioneve kosovare, një qetësim të situatës, dhe e them këtë sepse Franca dhe Gjermania janë të përkushtuara dhe kanë pasur një hapje, në veçanti ndaj politikës së vizave apo në elementë të tjerë ekonomikë, të cilët mund të rishikohen nëse nuk do të ketë politikë të papërgjegjshme nga të dy palët. Por ne do të vazhdojmë me partnerët tonë gjerman që të jemi shumë vigjilent për këtë çështje dhe për gjithçka që lidhet me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shkruar…