Janjiqi: Vuçiqi dhe Kurti po e bëjnë nervoz Quint-in
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka thënë të premten se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk ka një politikë strategjike ndaj Kosovës dhe se synimet e tij të vetme janë “blerja e kohës” dhe ruajtja e ndikimit të Listës Serbe.
Janjiq ka thënë për agjencinë “Beta” se në takimin e Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të planifikuar për 14 shtator në Bruksel, nuk do të arrihet asnjë marrëveshje konkrete.
“Si Vuçiq edhe Kurti po blejnë kohë. Të gjithë insistojnë në deeskalim dhe në thelb gjithçka zbret në dy pyetje, kur do të mbahen zgjedhjet lokale dhe kur do të tërhiqet policia e Kosovës nga veriu. Edhe Kurti edhe Vuçiq janë larg zgjidhjes së këtyre dy problemeve thelbësore”, ka vlerësuar Janjiqi, duke shtuar se nuk ka diskutim për kthimin e serbëve në të gjitha institucionet e Kosovës.
Sipas tij, kriza e sigurisë shtypi zgjidhjet politike.
“Dhe kjo e bën grupin Quint-in dhe komunitetin ndërkombëtar nervoz. Deri më tani nuk ka pasur asnjë propozim nga Beogradi se kur dhe në çfarë kushtesh do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës. Vuçiq dhe Kurti po luajnë në prag të rreziqeve të sigurisë”, ka thënë ai.