Milatoviç: Dhënia e mandatit për Spajiç-in vendim i duhur, s’flas më për formimin e qeverisë

02 shtator 2023 | 16:03

“Dhënia e mandatit për formimin e qeverisë së re Milojko Spajiç-it ishte një vendim absolutisht i duhur”, ka thënë Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Këto komente Milatoviç i bëri në një konferencë për media së bashku me kongresmenin amerikan, Mike Turner, teksa tha se çdo vendim i bazuar në ligj është i drejtë.

“Dhënia e mandatit zotit Spajiç, sipas konsultimeve me 18 subjektet politike, është vendim i saktë. Nuk dua të flas më për formimin e qeverisë, jam shumë i qartë dhe parimor kur bëhet fjalë për programet që ajo duhet të ofrojë”, deklaroi Milatoviç.

“Për formimin e qeverisë përgjegjësinë e ka vetë mandatari dhe subjektet që diskutojnë dhe negociojnë”.

Milatoviç, i cili është edhe nënkryetar i Lëvizjes Evropa Tani, nuk i ka pëlqyer forma se si Milojko Spajiç, i ka zhvilluar negociatat për formimin e qeverisë së re, pasi që la jashtë koalicionin “Për të ardhmen e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb.

I pyetur nëse mendon se, duke sugjeruar se kush duhet të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme, ka dalë jashtë kompetencave të tij, ai potencoi se ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij politik.

“Dhe gjithmonë kur shpreh qëndrimin tim politik, e shpreh në interes të prosperitetit të shtetit dhe qytetarëve të Malit të Zi”, theksoi ai, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

Kreu malazez nuk ishte i sigurt nëse koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi” si pjesë e qeverisë, do të mbështesnin publikisht sanksionet ndaj Federatës Ruse, dhe se nuk do ta kontestonin çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por se potencoi se personalisht ai ka pikëpamje të forta vetëm për çështjet parimore.

“Parimet janë si më poshtë: Qeveria duhet të ndërtohet mbi parimet e përshpejtimit të rrugës malazeze drejt BE-së, anëtarësimit të besueshëm në aleancën e NATO-s dhe natyrisht Malit të Zi si fqinj i mirë në kontekstin e politikës së fqinjësisë së mirë”.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, me 10 gusht ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, për të krijuar qeverinë e re.

Ai, sipas afateve ligjore ka 90 ditë për ta bërë një gjë të tillë.

Spajiç ka përjashtuar çfarëdo mundësie për të bërë koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve – partinë e Milo Gjukanoviç-it, si dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviç-it, ndërsa ka bërë me dije se edhe koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb – nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që qeveria e re malazeze që do të vije ta shpallë të mbyllur çështjen e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse për shkak të agresionit në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Komerciale e ka aprovuar si të bazuar padinë e…