Gjykata Kushtetuese pezullon zbatimin e nenit për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë

04 shtator 2023 | 11:08

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

Kjo është bërë pasi që Komuna e Prizrenit, para dy javësh e kishte dërguar ligjin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) e ka dërguar dy javë më parë, më 25 gusht, në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.

Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e kishin bërë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Ky ligj parashihte faljen e 100 euro të tatimit në pronë për të gjithë qytetarët për vitin 2023.

Të mërkurën e 23 gushtit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e kishte quajtur absurde dhe hipokrizi paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

Ministri Murati kishte theksuar se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohej.

“Ka një lloj hipokrize sa i përket çështjeve të halleve që i qajnë. Është e pavërtetë që dëmtohet buxheti i komunave. Deri në datën e djeshme janë mbledhur 32.3 milionë euro. Kjo është vetëm një lojë e disa prej komunave dhe në këtë rast e AKK-së”, ishte shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni zyrtare…