KMDLNj: Rrëmuja për libra, a ishte e nevojshme dhe e arsyeshme?!

04 shtator 2023 | 13:28

Para fillimit të vitit shkollor, dështoi marrëveshja midis MASHT-t dhe botuesve të librave shkollor dhe, si rezultat i kësaj në vend se librat të shpërndahen si më parë u gjet një tjetër rrugë që përmes aplikimit për rimbursim të kompensohen prindërit që i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.

E tëra kjo shkaktoi një rrëmujë në libraritë apo pikat shitëse ku të njëjtit botues që nuk arritën marrëveshje me MASHTI-n tash i shesin librat shkollorë.

“U krijuan radhë të gjata, viti shkollor filloi me vonesa ku nxënësit që nuk ishin pajisur me tekste të reja, ose shkuan me tekste të vjetra ose fare pa to. Tash, përgjegjësia për këtë rrëmujë të shkaktuar dhe komplikim të gjendjes endej si topi i ping – pongut, nga njëra fushë (MASHTI) te tjetra (botuesit) ndërsa prindërit dhe nxënësit e pësuan shkak i papërgjegjësisë institucionale, në radhë të parë e pastaj nga përgjegjësia nuk mund të lirohen krejtësisht as botuesit. Qeveritë e mëparshme e kishin krijuar një standard të furnizimit me libra shkollorë falas dhe kjo mirë funksiononte, prandaj për KMDLNj-në mbetet i paqartë shkaku pse MASHTI veproi në këtë mënyrë. Nëse MASHTI përmes kësaj forme të kompensimit ka arritur të kursejë mjete nga buxheti i Kosovës, pra nëse kostoja del të jetë më e lirë se nga ato të mëhershmet, atëherë edhe mund të arsyetohet dhe të mos i nënshtrohet përgjegjësisë”, është thënë në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Mirëpo, sipas KMDLNj-së në anën tjetër nëse mënyra për të cilën është përcaktuar MASHTI për furnizim me libra shkollor falas del të jetë më e kushtueshme se ajo e qeverive paraprake.

“Atëherë duhet të bëhet një hetim pas së cilës do të përcaktohej përgjegjësia në të gjitha nivelet varësisht nga shkalla e përgjegjësisë. MASHTI gjithashtu duhet që përmes drejtorive komunale të arsimit të identifikojë dhe të kompensojë edhe ata prindër të cilët në pamundësi për të aplikuar online kanë blerë librat ose ende nuk e kanë bërë. Furnizimi me libra shkollorë po ecën me një ritëm të ngadalësuar dhe KMDLNj pyet nëse kjo ka qenë e nevojshme, e arsyeshme dhe mënyra më e duhur dhe më e përshtatshme. As prindërit e as nxënësit nuk duhet të paguajnë çmimin e papërgjegjësisë institucionale apo të dëshirës së botuesve për të fituar më shumë sepse as që janë pyetur për këtë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj kërkon që rasti të sqarohet deri në fund dhe të mos mbetet vetëm si përplasje midis pozitës dhe opozitës ku pozita arsyeton çdo vendim dhe çdo veprim ndërsa opozita e sulmon çdo vendim dhe çdo veprim.

“Kosova po përballet me shumë probleme të natyrës politike dhe ekonomike, si pasojë e politikës, prandaj duhet të arrihet një konsensus kombëtar, politik dhe shtetërorë midis pozitës dhe opozitës që të kalohet me sa më pak pasoja në këtë përballje. Debati parlamentar për librat shkollorë në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, sipas KMDLNj-së nuk është prioriteti numër një sot në Kosovë dhe ky debat nuk do të prodhojë asnjë rezultat praktik përveç se që përmes fjalorit të tensionuar do të ndikojë që çarjet pozitë – opozitë të thellohen edhe më shumë duke margjinalizuar problemet kryesore me të cilat sot po përballet Kosova të natyrës politike dhe ekonomike në kohën kur po rritet presioni ndaj Kosovës përmes kushtëzimeve të cilat seriozisht e rrezikojnë të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës…