Zbulohet një sasi e madhe e armatimit në Zveçan, reagon ministri Sveçla

05 shtator 2023 | 13:54

Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në lagjen “Gvozden” në Zveçan këtë të martë, ku ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të armatimit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se për dy dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.

“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm. Si Qeveri, gjatë dy viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.

Ai ka theksuar se deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.

“Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it. Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të republikës”, ka thënë Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Ballkani ka njoftuar se ka nënshkruar me futbollistin Arjol…