Zeqiri i Zubin Potokut: Nuk shoh kushte për zgjedhje të afërta, dorëheqjet janë më të dinjitetshme

05 shtator 2023 | 20:11

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka komentuar miratimin e udhëzimit administrativ përmes të cilit qytetarëve në veri të vendit përmes peticionit do t’u mundësohet që të vendosin nëse janë pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës.

Zeqiri për Info Magazinë të Klan Kosovës ka thënë se e sheh si iniciativë që nuk mund të ketë suksesin e duhur, duke potencuar se, sipas tij, nuk ka kushte pqr zgjedhje në veri.

“Në bazë të asaj çka shohim në terren, nuk shoh kurrfarë kushtesh qoftë për zgjedhje, qoftë për këtë iniciativë, nuk shoh asnjë kusht që mund të ketë ndonjë palë zgjedhje të menjëhershme këtu”, ka thënë Zeqiri.

“E them këtë për shkak se nuk varet prej zgjedhjeve vetëm prej pakicës, komunitetit shqiptar që është nëpër këto komuna, pra varet shumë prej shumicës, kurse shumica është e barrikaduar në atë që nuk i përgjigjet asnjë iniciative shtetërore. Për atë e them se nuk shoh kushte që mund të mbahen ndonjë palë zgjedhje të afërta këtu. Shkon proces i gjatë dhe s’besoj qe serbët do t’i përgjigjen asaj iniciative”, deklaroi Zeqiri.

Ai ka thënë se zgjidhje më e mirë do të ishin dorëheqjet e kryetarëve aktual.

“Unë jam shprehur gjithmonë që dorëheqjet janë më të dinjitetshme dhe për neve si kryetarë, por edhe për qeverinë në këtë aspekt”, tha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton…