Policia e Kosovës pas dyshimeve për depo të armëve në Zveçan: Gjetëm municione të kalibrit të NATO-s

05 shtator 2023 | 20:11

Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se gjatë aksionit policor në Zveçan – komunë e banuar kryesisht me serbë – kanë gjetur dhe sekuestruar katër pushkë automatike, karikatorë, eksplozivë, granata dore, municion dhe pajisje të tjera.

Ai ka thënë se janë gjetur edhe municione të kalibrit 5×56 që përdoren nga forcat ushtarake të NATO-s, ndërsa duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, ai ka shtuar se lokacioni ku është zbuluar armatimi mund të jetë edhe depo, porse ende nuk ka të arrestuar lidhur me këtë çështje.

“Policia e Kosovës pas pranimit të një informate nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), ka zhvilluar një bastisje në ‘Korile e Poshtme’ në Zveçan, me ç’rast gjatë bastisjes kemi hasur në armë dhe municion. Aty janë gjetur katër pushkë automatike, karikatorë, eksplozivë, granata dore, municion dhe gjëra të tjera”, ka thënë Elshani.

“Policia e Kosovës vazhdon të jetë e dedikuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në mbarë territorin e Kosovës dhe në veçanti në veriun e saj. Duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, atëherë del se ky vend ka mundësi të jetë edhe depo”, ka shtuar mes tjerash ai.

Elshani ka njoftuar se atmosfera e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës tanimë është më e qetë dhe stabile, ndonëse delikate për shkak të tensioneve që nisën në fund të muajit maj e ku protestuesit serbë plagosën dhjetëra ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të…