Hasani: Udhëzimi për largim të kryetarëve, kundërkushtetues dhe kundërligjor

06 shtator 2023 | 15:25

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se një udhëzim administrativ i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për largimin e kryetarëve të komunave nga funksioni, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ai e mbështet këtë qëndrim te mungesa e një Ligji për iniciativë qytetare apo referendum.

“Ai udhëzim shihet që është bërë nga njerëz që e njohin drejtësinë, përkundër që është kundërkushtetues dhe kundërligjor. Ai nuk vlen vetëm për komunat e veriut, vlen për krejt Kosovën. Përmes një udhëzimi të tillë, për gjashtë muaj mund të përmbysen të gjitha rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e ndaluar, është tërësisht jokushtetuese. Aty përmendet 45-ditëshi. Pse përmendet ai afat, me çfarë të drejte? Duhet pasur autorizim ligjor. Pastaj, ku është logjika e autorizimit të KQZ-së, përmes udhëzimit administrativ të ministrisë? KQZ-ja është organ, vetë është organ administrativ. Ata dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal janë të barabartë para ligjit. Ato e zbatojnë ligjin, direkt. Ato e marrin udhëzimin prej ligjit, jo prej njëra-tjetrës”, ka thënë ai.

Mes tjerash, Hasani, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se pushteti po tregon mungesë vullneti për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, dhe se dorëheqja e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në atë pjesë do të ishte vendimi më i duhur.

Në pyetjen se a është udhëzimi i ri administrativ për largimin e një kryetari komune në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?, Hasani është përgjigjur: “Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”.

Se çfarë mund të ndodh tash, Hasani tregon ecurinë e procesit. “Jam shumë i sigurt se nëse përfundon në Gjykatë Kushtetuese, ky udhëzim rrëzohet për arsyet që i thashë, por edhe për arsyen tjetër, që udhëzimin administrativ me përmbajtje të thellë të normave ligjore e ka nxjerrë organi administrativ, që është dikasteri ministror. Ky është konflikt i hapur i interesit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për specifikimin e procedurave të realizimit të një të drejte, por caktohen të drejta shtesë prej autorizimit të zëvendëskryesuesit, pastaj mandatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizim të zgjedhjeve, gjë që mund ta bëjë vetëm ligji, jo udhëzimi administrativ”, ka theksuar Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht statusit martesor, gjinisë ose vendndodhjes gjeografike, ka arsye të…