Gruda i PDK-së, Haxhiut: Ministre, ku janë mostrat e Astrit Deharit?

07 shtator 2023 | 16:15

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka pyetur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për mostrat e zhdukura të Astrit Deharit.

Ai ka thënë se sot janë bërë 273 ditë që kur në Ministrinë e Drejtësisë janë zhdukur mostrat e aktivistit të Vetëvendosjes, i cili ka ndërruar jetë në qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Gruda ka shkruar në “Facebook” se për tetë muaj, ministrja Haxhiu ka dështuar të jap një sqarim të vetëm për familjen e Astritit dhe qytetarët e vendit.

“Sot janë bërë 273 ditë, që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar, kur në Ministrinë e Drejtësisë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Për tetë muaj të plotë, ministrja Albulena Haxhiu ka dështuar të jap një sqarim të vetëm për familjen e Astritit dhe qytetarët e vendit. Në vend të llogaridhënies dhe dhënies së përgjegjësisë, ajo po tenton të fshihet duke sulmuar prokurorinë. Ky nuk është qëndrimi i vetëm kontradiktor dhe jo profesional i kësaj ministre”, ka shkruar Gruda.

Më tutje, Gruda ka përmendur kritikat e Haxhiut për sistemin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të dyshuarve për korrupsion.

“Gjatë kësaj periudhe, ne kemi parë që përveç sulmeve direkte ndaj prokurorisë, ajo ka marrë në mbrojtje të korruptuarit e partisë së saj. Albulena Haxhiu, në kundërshtim me rolin e saj për të ruajtur dhe forcuar integritetin e organeve të drejtësisë, është shndërruar në një zëdhënëse të të akuzuarve për korrupsion, Martin Berishaj, Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin dhe të tjerët. Deri sot, në 900 ditët e saj si Ministre, për fatin e keq të Kosovës dhe qytetarëve tanë, Albulena Haxhiu ka dëshmuar çdo ditë se si nuk duhet të jetë një Ministre e Drejtësisë. Ministre, ku janë mostrat e Astrit Deharit?”, ka shkruar Gruda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KB Prishtina ka njoftuar se e ka transferuar basketbollistin Steven…