Haradinaj: Qeveria Kurti ka çrregulluar sistemin e arsimit primar

08 shtator 2023 | 16:14

Grupi Parlamentar i AAK-së ka mbajtur tryezën e radhës, në të cilën ka trajtuar si temë dështimin e Qeverisë në sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.

Gjatë diskutimit, të pranishmit konfirmuan shqetësimet se gjendja në institucionet shkollore është shqetësuese.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ka kohë që ka filluar diskutimet për tema që janë në interes të qytetarit, duke i dhënë rëndësi dialogut me palët që kanë përgjegjësi në sektorë të ndryshëm.

“Qeveria me veprimet e saj të paligjshme, ka çrregulluar sistemin e arsimit primar. Sot kur bëhet një javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, nxënësit janë ende pa libra. Ky vendim i Qeverisë, përpos që ka shkaktuar rritjen e kostos duke e tejkaluar shifrën për rreth 6 milionë euro më shumë se sa që ishte parashikuar, ka shpërfaqur për herë të parë në shkollat publike pabarëzi sociale në mes të varfërve dhe të pasurve, ndërkaq aplikimet online kanë shpërfaqur mundësi të manipulimit të buxhetit dhe keqpërdorim të të dhënave personale. Si Aleancë, vendimin e konsiderojmë të jashtëligjshëm”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se AAK-ja i çmon të arriturat e deritanishme në arsim, si meritë e përbashkët e drejtuesve arsimorë në të gjitha nivelet.

“Një sistem cilësor i arsimit arrihet vetëm me trajtim të dinjitetshëm të mësimdhënësve, me status meritor financiar dhe ofrim të kushteve të mira për nxënësit”, është shprehur lideri i AAK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri spanjoll Luis de La Fuente nuk ia mbyll derën…