SHGSK-ja shpërndau kartelat e reja

24 gusht 2018 | 11:28

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës bëri shpërndarjen e kartelave të reja për anëtarët e saj për edicionin 2018/19.

Anëtarja e Bordit, Genta Cana deklaroi që numri i anëtarëve të Shoqatës çdo vit po rritet.

“Herën e kaluar kishim printuar 90 kartela për anëtarët tanë, ndërsa këtë vit numri është rritur në 114. Ky është një tregues që gazetaria sportive është duke shënuar rritje në Kosovë, rrjedhimisht edhe përkrahja për SHGSK-në”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa sekretari, Arlind Sadiku foli për benefecionet e kartelës dhe për aktivitetet tjera të SHGSK-së.

“Ne kemi pasur takim me Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht me presidentin e ri, Agim Ademi dhe do ta fuqizojmë rolin e kartelës së SHGSK-së në futboll dhe në përgjithësi në sportin vendor. Të gjitha klubeve do ti dërgohet lista e anëtarëve të Shoqatës, dhe me atë kartelë do të mund hyni në evente sportive për të kryer punën. Tjetri përfitim që sjellë kartela është lirimi nga pagesa për vizë në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, që është 35 euro. Kjo kartelë konfirmon të qenit gazetar aktiv dhe anëtar valid i SHGSK-së”, ka deklaruar Sadiku, i cili në konferencë njoftoi gazetarët edhe për projektin tjetër me FFK-në në lidhje me dërgimin e 10 gazetarëve sportivë në Azerbajxhan për ndeshjen e parë të Kosovës në Nations League.

Fotografia e Shpend Ahmeti

“Në Baku do të udhëtojnë së bashku me ekipin e Kosovës, 7 gazetarë sportivë sepse fatkeqësisht numri nuk është përmbushur. Udhëtimi do të bëhet me 6 shtator në mëngjes ndërsa kthimi me 7 shtator menjëherë pas ndeshje. Ekipi i gazetarëve përbëhet nga: Milaim Krasniqi (RTK Radio), Lorik Jashanica (Gazeta Blic), Leonard Hajdaraj (T7), Jon Ajeti (Klan Kosova), Blerim Uka (Indeks Online). Ardian Jasiqi (Gazeta Express), Alban Bellopoja (Klan Kosova). Përkushtimi ynë si Bord i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës do të vazhdoj në tentim për të lehtësuar përcjelljen e aktiviteteve sportive brenda dhe jashtë vendit”, ka shtuar ai.

Në fund u fol edhe për shpërblimet që dhuron Asociacioni i Gazetarëve Sportivë të Botës (AIPS) për çmimin e gazetarëve më të mirë të vitit. U tha se afati i fundit për aplikim të gazetarëve nga Kosova është 17 shtator 2018 dhe se interesimi për të qenë kandidat veç ka filluar. Për çdo paqartësi dhe ndihmë në lidhje me këtë temë gazetarët të drejtohen në email adresën, [email protected].

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, degët e Dukagjinit:…