Gjykata lëshon njoftim për aktgjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit

13 shtator 2023 | 16:06

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit që po akuzoheshin për vrasjen e dy policëve në Podujevë në vitin 2004. Bedri Krasniqi është liruar nga akuzat për vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, ndërsa Alban Dizdari është dënuar me tetë vite burgim për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasjë.

Gjykata ka bërë të ditur se për Bedri Krasniqin është marrë aktgjykim lirues nga aktakuza pasi që nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet sipas aktit akuzues. Ndërsa për Dizdarin, gjykata mori vendim dënues.

“I akuzuari A.D konform nenit 364 paragrafi 1 të KPPRK-së është shpallur fajtor për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 30 paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6 dhe neni 24 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK),  andaj gjykata në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të njëjtin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite,  në të cilin dënim do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.”, thotë Gjykata.

Dizdari do të obligohet gjithashtu t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale prej 500 euro dhe fondin e kompensimit të viktimave të krimit në shumën prej 100 euro brenda afatit prej 15 ditësh.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve B.K dhe A.D

Prishtinë, 13 shtator 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të pandehurve B.K për shkak të veprave penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, nga neni 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe nenit 30 (paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6) të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK), të dyja në fuqi deri më 06.04.2004, gjithashtu e përcaktuar me nenet 23 dhe 147 (paragrafi 4 dhe 10) të Kodit Penal të Kosovës, në fuqi deri më 31 dhjetor 2012, gjithashtu e përcaktuar me nenet 31 dhe 179 ( paragrafi 1.5 dhe 1.9) të Kodit të Ri Penal të Kosovës, në fuqi prej 1 janarit 2013 dhe i akuzuari A.D për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 30 paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6 dhe neni 24 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK).

I akuzuari B.K në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nën par.1.3 të KPPRK-së është liruar nga aktakuza sepse nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet sipas aktit akuzues.

I akuzuari A.D konform nenit 364 paragrafi 1 të KPPRK-së është shpallur fajtor për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 30 paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6 dhe neni 24 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK),  andaj gjykata në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të njëjtin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite,  në të cilin dënim do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.

Obligohet i pandehuri i pandehuri A.D ti paguaj shpenzimet e procedurës penale në lartësi prej 500 € si dhe për fondin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 € të gjitha këto në afat prej 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontestin e rregullt juridiko civil.

Bazuar në nenin 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPPRK-së i akuzuari A.D lirohet nga aktakuza për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë sipas aktit akuzues. i akuzuari A.D lirohet nga masa e paraburgimit që në ditën e sotme pas shpalljes së aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta prestigjioze spanjolle “Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se…