Reagim publik i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës lidhur me arrestimet dhe bastisjet e fundit nga DHPS dhe EULEX

13 shtator 2023 | 16:56

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës është e shqetësuar për arrestimin e paradokohshëm të Dritan Goxhajt në Tiranë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë. Arsyeja e arrestimit na qenka se Goxhaj paska shkruar për “dëshmitarët e mbrojtur” të Prokurorisë Speciale në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së!

Bëhet pyetja, si mund të burgosen njerëzit, kur nga vetë dëshmitarët, më vonë edhe nga vetë Prokuroria Speciale kanë rrjedhë emrat e dëshmitarëve “të mbrojtur”, emrat e të cilëve janë publikuar në disa portale dhe mediume elektronike të Kosovës?!

SHBPK kërkon nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, drejtësi dhe ndërmarrje të hapave konkret për t’i ndaluar këto veprime, të cilat po zbatohen nga Prokuroria Speciale, duke e përdorë policinë e EULEX-it në Kosovë!

Nga Ministria e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë kërkojmë të vlerësohen drejt akuzat kundër Dritan Goxhajt, në mënyrë që Ai të lirohet nga paraburgimi!

Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si themelues i Dhomave të Specializuara, kërkojmë të mos heshtë ndaj këtyre veprimeve dhe ndaj proceseve politike, por të kërkojë llogaridhënie nga Prokuroria dhe nga Gjykata Speciale! Kjo heshtje e Kuvendit dhe e institucioneve shtetërore të Kosovës le përshtypje se sikur ato pajtohen me arrestimet dhe gjykimet politike të qytetarëve tanë!

Bastisja e fundit në familjen e dy heronjve, Fahri Fazliu dhe Bahri Fazliu në Prishtinë i ka shqetësuar ish-të dënuarit politikë, sepse do të vazhdojnë këso veprime edhe në të ardhmen.

Ndalimi i fundit i Rrustem Mustafës, si dëshmitar i Prokurorisë Speciale, i cili ka dalë publikisht dhe ka dëshmuar para Gjykatës Speciale. Atëherë, pse të ndalohet në atë mënyrë Mustafa, kur ai i ka kryer të gjitha detyrimet ndaj Gjykatës?!

Shoqata konsideron se, pas rënies së akuzave nga Raporti i Dik Martit për trafikim organesh, gjithçka duhet të merr fund: Të lirohen të burgosurit dhe të mbyllet kjo gjykatë e padrejtë! Koha ka vërtetuar se dëshmitarët dhe të gjitha akuzat janë të përgatitura, të hartuara e të konstruktuara nga regjimi i Beogradit.

Shefik Sadiku, kryetar i Shoqatës së  të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
14.09.2023 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Pejë 1.…