Pjesëtarët e FSK-së përfunduan kursin e forcave speciale në Republikën e Shqipërisë

14 shtator 2023 | 15:48

Në kuadër të bashkëpunimit që ka Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSh), një kontingjent i FSK-së ka realizuar trajnimin për forcat speciale. Në mjediset e Regjimentit të Operacioneve Speciale të FARSh-it të enjten është zhvilluar ceremonia e përfundimit të këtij kursi.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë komandanti i Forcës Tokësore gjeneralbrigade Ilir Xhebexhia, ushtarak të larte të FARSh-it, përfaqësues nga FSK-ja dhe miq e familjarë të kursantëve.

“Në kuadër të ceremonisë të pranishmit kanë parë nga afër një demonstrim stërvitor të përgatitur nga kursantët duke kryer veprime taktike si: luftim i afërt, goditje objekti, qitje ndaj objektivave të lëvizshme, qitje me precize, qitje me pengesa, qitje me snajper etj.”, ka njoftuar FSK-ja.

Ky kurs ka përgatitur kursantët për operatorë të forcave speciale me të gjitha aftësitë taktike dhe psikologjike, profesionale, drejtuese dhe luftarake për të qenë të suksesshëm në të gjithë spektrin e gjerë te operacioneve speciale. Kursi i Forcave Speciale është zhvilluar për një periudhë gjashtëmujore me kursantë nga Forcat e Armatosura te Republikës së Shqipërisë dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Harry Maguire ka folur për situatën në të cilën gjendet…